Nominimi për “Oscar” i filmit “Shok”, flasin protagonistët

15/01/2016 00:00

Rrugëtimi i filmit “Shok” deri te nominimi për “Oscar”, duke shënuar historinë në kinematografinë mbarëshqiptare, nuk ishte aspak i lehtë. Por, sfidat e këtij filmi nuk kanë përfunduar. Deri në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” u nevojitet edhe përkrahja institucionale, duke marrë parasysh shpenzimet e nevojshme për lobim në Hollywood.

Producenti Eshref Durmishi tregon për Top Channel se, përveç producentëve vendas dhe nga Anglia, ishte i nevojshëm edhe angazhimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të lobuar drejt suksesit. Dhe kjo është realizuar me mjete vetjake nga autorët e filmit.

“Rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë, sepse ne, vërtet jemi përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me një fond prej 25 mijë eurosh, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për ta realizuar filmin. Por fati ynë i mirë ka qenë që kemi pasur bashkëproducentë anglezë dhe një pjesë të madhe të mjeteve financiare i kemi siguruar si postproduksion, ndërsa kamerat kanë ardhur nga Anglia. Së fundi ne kemi pasur një publicist në Los Angeles, që ka bërë fazën e parë të marrëdhënieve me publikun, apo të publicitetit. Atë e kemi paguar me paratë tona deri dje dhe ka qenë i kontraktuar deri dje”, tha Eshref Durmishi, producent/aktor i filmit “Shok”.

Durmishi u bëri thirrje institucioneve, që të ndihmojnë financiarisht deri në fund të këtij rrugëtimi. Ai shtoi se, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka premtuar që do të qëndrojë prapa ekipit, për të ndihmuar në të gjitha format e drejtimet e nevojshme.

Ndërsa regjisori i filmit, Jamie Donoughue, i cili me filmin “Shok”  ka debutuar si regjisor, tha se qëllimi i tij është arritur, që bota të dijë më shumë për Kosovën dhe atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit.

“Ndjenja është fantastike, sepse ka funksionuar ajo që jemi përpjekur të përçojmë përmes filmit. Audienca ndërkombëtare është shprehur se, nuk e kanë kuptuar çfarë ka ndodhur në Kosovë, por tashmë kanë mësuar, tani dinë mjaftueshëm për Kosovën dhe do të vazhdojnë së hulumtuari. Kjo është një gjë shumë e madhe, sepse është pikërisht ajo çfarë kemi shpresuar. Tani, për shkak të nominimit për ‘Oscar’, miliona njerëz do të mësojnë për Kosovën. Nuk di si ta përshkruaj, është fantastike. Jam shumë i lumtur për filmin, për veten, por më e rëndësishmja për Kosovën si shtet, si dhe njerëzit këtu. Për të qenë filmi i parë i nominuar është një nder i madh dhe jam shumë i lumtur, që jam pjesë e kësaj historie”, tha Jamie Donoughue, regjisor i filmit “Shok”.

Duke e cilësuar Kosovën si një shtëpi e dytë, Donoughue tha se, gjithmonë do të kthehet atje të realizojë të tjerë filma.

Filmi “Shok”, ku trajtohet miqësia e dy të miturve në kohë të vështira lufte në Kosovë, është i bazuar në një ngjarje të vërtetë, një pjesë e së cilës është ngjarja personale e producentit dhe aktorit Eshref Durmishi.

Ndërsa protagonistët Lum Veseli dhe Andi Bajgora, fëmijë që nuk e kanë përjetuar luftën, nuk e patën të lehtë realizimin e roleve.

“Ne, në fillim e kemi pasur të vështirë, sepse nuk e kemi përjetuar luftën, por me tregimet prej prindërve, Eshrefit dhe gjithë ekipit e kemi pasur më të lehtë”, tha Lum Veseli, aktor i “Shok”.

“Ishte diçka shumë e madhe. Duke menduar edhe anën tjetër, tashmë jemi edhe në historinë e kinematografisë, jo veç kosovare, por mbarëshqiptare”, tha Andi Bajgora, aktor i “Shok”.

Autorët kanë një mesazh edhe për mediat serbe, të cilat e kanë cilësuar një film me ngjarje të manipuluara. “Po, shpresoj që ne të sjellim ‘Oscar’-in në Kosovë dhe do të përpiqemi që ta shfaqim filmin edhe në Beograd”, tha Eshref Durmishi, producent/aktor i filmit “Shok”.

Top Channel