Paraqitjet e shkëlqyera me Arsenalin në vitin sapo lamë pas, ka bërë që Mesut Ozil të zgjidhet si lojtari gjerman i vitit 2015.
Një dominim absolut nga Mesut Ozil, i cili ka arritur të marrë më shumë se 45.9 përqind të votave në anketën online në faqen zyrtare të Federatës Gjermane të Futbollit, duke lënë pas Thomas Muller, i cili u votua nga 15.9% e fansave, ndërsa Jonas Hector mori 13.6% të preferencave.
Në 5 vitet e fundit ky çmim shkon për herë të katërt për lojtarin e Arsenal, i cili në sezonet e kaluar ka qenë pjesë e Realit të Madridit. Ndërsa në vitin 2014 ishte Toni Kroos, ai që e fitonte këtë çmim.
Ozil ishte titullar në 8 ndeshje me Gjermaninë në 2015 dhe shijoi 5 fitore në to. Në nivel klubesh 16 asistet e tij dhe 87 rastet e krijuara për gol këtë sezon, përbëjnë statistikën më të mirë të çdo futbollisti në 5 kampionatet më të rëndësishëm të Europës.
Top Channel