Reforma e re e pensioneve, që po përgatit qeveria “Tsipras”, ka bërë që rrugët e Athinës të mbushen me mijëra avokatë, mjekë, inxhinierë dhe të vetëpunësuar në sektorët e shkencave, në të ashtuquajturën nga disa media greke edhe si “protesta masive e kostumeve dhe tajareve”, pasi është hera e parë që këto kategori profesionesh protestojnë në vitet e krizës greke.

Projektligji i ri i pensioneve përfshin, midis të tjerash, rritje në kontributet e sigurimeve shoqërore, si dhe parashikon shkurtime në pensionet e ardhshme që llogariten deri në 30%, ndaj protestuesit kanë kërkuar anulimin e tij. Gjithashtu, për të vetëpunësuarit planifikohet 36% kontribut për pensionin, ndërkohë që në 29% ka shkuar tatimi mbi të ardhurat, që depozitohet që në fillim të vitit, taksa të cilat sipas juristëve, që ndodhen në një grevë treditore, sjellin rrënimin ekonomik të këtyre njerëzve.

“Ne jemi duke demonstruar kundër këtij plani pensionesh, që qeveria kërkon të kalojë, sepse për fat të keq do të sjellë shkatërrimin tonë total. Do të na rrënojë”, tha Dimitrios Spiropoulos, jurist.

Në fjalimin e tij të parë para grupit parlamentar, udhëheqësi i sapozgjedhur i konservatorëve ka deklaruar se, partia e tij do të votojë kundër projektligjit në fjalë.

“Reforma e pensioneve do të jetë mundësia jonë e pare për të dhënë sinjalin tonë si opozitë. Ne nuk pajtohemi me propozimin e qeverisë dhe mënyrën sesi ajo e ka formuluar, kështu që ne do të votojmë kundër saj”, tha Kiriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.

Nga ana e tij, kryeministri grek deklaroi se, qeveria e tij ndodhet në një proces për të bindur kreditorët e saj, në mënyrë që të punësohen sa më shumë vetë në sektorin shtetëror të shëndetësisë dhe të arsimit, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zbutur pasojat e masave të ashpra financiare.

Reforma e pensioneve është një nga sfidat kryesore të qeverisë “Tsipras”, që ka një shumicë delikate me vetëm 3 deputetë më shumë se shumica absolute në Parlament.

Në dy dekadat e fundit, të gjitha qeveritë greke kanë dështuar në reformimin e sistemit të pensioneve, duke e sjellë atë buzë greminës. Për më tepër, në vitin e 7 të krizës, të punësuarit në Greqi janë rreth 3.5 milionë, ndërsa pensionistët mbi 2.7 milionë, duke bërë që raporti kontribues-përfitues të jetë nga më të ulëtit në BE.

Top Channel