Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski do të paraqesë gjatë së premtes te kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, dorëheqjen nga posti aktual.

Këtë e ka bërë të ditur vet Gruevski, gjatë një fjalimi në selinë e Qeverisë, duke u zotuar se do të respektojë në tërësi marrëveshjen e 2 qershorit për zgjidhjen e krizës. Kjo marrëveshje parashikon dorëheqjen e kryeministrit 100 ditë para mbatjes së zgjedhjeve.

Gruevski është i bindur se do të fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme, ndërsa tha se po dorëhiqet për të ndihmuar vendin që të dalë nga kriza. Ai akuzoi partinë opozitare LSDM, se po pengon zbatimin e marrëveshjes politike dhe po mban vendin në krizë.

“Maqedonia duhet të ecë përpara dhe ne, bashkë me popullin, do të punojnë për këtë qëllim. Në zgjedhjet e ardhshme, unë nuk do të humbas kohë me akuzat e vjetra. Do të fokusohem në çështje serioze, kurse planet dhe programi im do të jenë për rritjen e ekonomisë së vendit dhe mirëqenies së popullit tim”, tha Nikola Gruevski, kryeministri i Maqedonisë në largim.

Dorëheqja e tij vjen si pasojë e aferës së përgjimeve, regjistrime të publikuara nga opozita në muajin shkurt të vitit të kaluar. Qeveria kalimtare, e cila duhet të organizojë zgjedhjet, pritet të votohet gjatë ditëve në vijim, ndërsa ende nuk dihet se kush do të jetë në krye të saj.

Top Channel