Champions, Allegri: Mund ta kalojmë Bayern-in

14/01/2016 00:00

Optimizmi te Allegri është në rritje. Për më tepër, duke parë edhe rrethanat në të cilat bardhezinjtë përfunduan në vendin e dytë në renditje pas përfundimit të fazës së parë këtë sezon, trajneri e shikon pozitive të ardhmen e klubit që ai drejton edhe pse në Champions do të ndeshen ndaj gjermanëve të Bayern-it.

“Ndaj Bayern-it do të jetë e vështirë, por detyra jonë është të kualifikohemi dhe besoj se do ta arrijmë këtë. Në të tilla ndeshje nevojitet të kesh edhe fatin në anën tënde. Nëse do të kualifikohemi, do të thotë se do të kemi eliminuar një nga ekipet favorite për të fituar Champions-in”, tha trajneri i Juventusit për televizionin e klubit JTV.

Ndërsa për sa i përket kampionatit, Allegrit u shpreh se gara këtë sezon është shumë e ekuilibruar dhe sipas tij kështu ka për të qenë deri në fund.

“Me siguri që titulli këtë sezon do të vendoset në javët e fundit. Ekipi që do të bëjë një fazë të dytë të mirë do të grumbullojë 46-48 pikë, ndërsa vendi i dytë mund të shkojë deri në 40 pikë, që do të thotë se kampionati do të vendoset në ditët e fundit të tij”, u shpreh Allegri.

Top Channel