Kosovë, VV: Pas ish-kreut të Kushtetueses, shkelëse e Kushtetutës edhe Jahjaga

14/01/2016 00:00

Një vendim i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, i marrë në gusht të vitit 2014 për vazhdimin e mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, mund ta bëjë atë shkelësen e radhës të Kushtetutës së Kosovës.

Të paktën kështu konsideron se ka ndodhur Lëvizja Vetëvendosje, tashmë kur Prokuroria në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, për falsifikimin e dokumentit zyrtar në çështjen e emërimit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo çështje është drejtuar në Gjykatën Kushtetuese nga ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, për të trajtuar kushtetutshmërinë e këtij emërimi. Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim në nëntor të 2014-s, me anë të të cilit e shpall këtë parashtresë të Avokatit të Popullit si të papranueshme dhe vendos me kuorum të mjaftueshëm, siç thuhet aty, për ta shpallur këtë të papranueshme”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Beteja ligjore e ish-Avokatit të Popullit në 2014-n kishte vazhduar me kërkesën e tij, për të parë nëse edhe gjyqtarët ndërkombëtarë, emërimi i të cilëve kontestohej, ishin pjesë e vendimit të gjykatës. Ka rezultuar se, vetëm njëri nga ata, gjyqtari Robert Carolan nuk ka marrë pjesë në votim, megjithëse në vendimin e nënshkruar nga ish-kryetari Enver Hasani, thuhet që edhe Carolan ka qenë pjesë e vendimit.

“Nga disa publikime në media, kuptohet se ka ekzistuar një lloj marrëveshjeje jashtë institucionale, mes Presidentes së Kosovës, kryetarit Enver Hasani dhe përfaqësuesit të BE-së, Samuel Zhbogar, që një vendim i tillë të merrej përkundër asaj që është shkelje e procedurave. Kjo është bërë pastaj nga Presidentja më 30 gusht. Pra, këtu kemi rastin kur Presidentja e Kosovës, me këtë emërim të 3 gjykatësve ndërkombëtarë, pa marrë miratimin e Kuvendit, e ka shkelur Kushtetutën”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvzijes Vetëvendosje.

Çështja e së drejtës ligjore apo jo të Presidentes Jahjaga, për vazhdimin e mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese ndërlidhet me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së mbikëqyrur në vitin 2014.

Sipas ligjeve në atë kohë, do të duhej të përfundonin edhe emërimet e reja të ndërkombëtarëve, përfshirë ato në Gjykatën Kushtetuese. Arsyetimi i autoriteteve të asaj kohe ka qenë se, mandati i 3 gjykatësve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese është zgjatur, pas shkëmbimit të letrave mes Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton.

Por, të mërkurën, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se është ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, pikërisht për faktin se ai kishte hedhur poshtë si të papranueshme, trajtimin e ligjshmërisë së këtyre emërimeve.

Sipas aktakuzës, ish-kryetari i Kushtetueses Enver Hasani ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme në rastin “KO-155/14”, duke nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandate shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetutese 3 persona.

I kundërligjshëm, sipas aktakuzës, është edhe fakti se, në vendim figuron emri i gjyqtarit Robert Carolan, ndonëse ai ka deklaruar se nuk ka marrë fare pjesë në votim.

Top Channel