“Eksod” te Borussia Dortmund

14/01/2016 13:30

Borussia Dortmund është një prej ekipeve në qendër të vëmendjes së merkatos së transferimeve. Kjo për faktin se disa prej futbollistëve të saj janë vënë në shënjestrën e disa prej klubeve më të rëndësishme evropiane.

Vetë drejtori i përgjithshëm i klubit gjerman, Hans-Joachim Watzke, në një intervistë për të përditshmen “Bild” ka folur për ata futbollistë që ka shumë të ngjarë që t’i thonë lamtumirë Borussias dhe bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm si Hummels, Mkhitaryan dhe Gundogan. Ajo që ka theksuar Watzke është se këta futbollistë nuk do të largohen në të njëjtën kohë nga verdhezinjtë.

“Objektivi ynë është që të gjejmë futbollistë të të njëjtit nivel si Hummels, Mkhitaryan e Gundogan. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Watzke, i cili mohoi se lojtarët e përmendur kanë si prioritet transferimin në kampionatin anglez.

Ai që është përmendur më shumë kohët e fundit në media të ndryshme është pikërisht Ilkay Gundogan, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë që një kalim i tij në një skuadër tjetër të ndodhë. “Ende nuk kemi marrë ndonjë vendim”, ishte deklarata e Gundogan për median gjermane.

Top Channel