Mërgim Mavraj drejt largimit nga Koln

13/01/2016 00:00

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Mërgim Mavraj mund të ndryshojë sërish fanelë, por duke mbetur në ligën gjermane.

Protagonisti i kuqezinjve që la pas dëmtimin e rëndë, i cili e mbajti disa muaj jashtë fushave, është rehabilituar plotësisht, por po vuan për të gjetur një vend titullar te Koln-i.

Mërgim Mavraj mund të ndryshojë skuadër gjatë merkatos së këtij muaji dhe largimi mund të vijë për shkak të hapësirave të pamjaftueshme te ekipi i Bundesliga-s.

Mbrojtësit të Kombëtares shqiptare i duhen minuta në këmbë për të qenë në formë për në Euro 2016-n dhe duke parë rivalitetin në rritje kërkon t’i paraprijë dilemave të trajnerit De Biasi.

Munchen 1860 është skuadra që po kërkon të bindë Mavrajn për të ndryshuar ambient, duke provuar qoftë edhe në formë huazimi të luajë larg Koln-it. Munchen 1860, skuadër në të cilën luan edhe shqiptari Valdet Rama dëshiron Mavrajn për të forcuar mbrojtjen, por mbetet për t’u gjendur konsensusi i vetë lojtarit.

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, i cili konfirmoi ofertën e marrë, ka një kontratë deri në vitin 2017 me Koln-in.

Top Channel