Kosovë, PDK mbledh kryesinë, diskutohen zhvillimet e fundit politike

13/01/2016 00:00

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur të mërkurën pasdite për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, ku kanë dënuar dhunën në protestat e opozitës dhe i kanë bërë thirrje gjithë spektrit politik për dialog brenda institucioneve.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se PDK është e vendosur që si partia më e madhe dhe udhëheqëse e koalicionit qeveritar të zbatojë marrëveshjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike, e cila parashikon që Hashim Thaçi të votohet president i ri i Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës do të respektojë marrëveshjen politike me partnerët e koalicionit dhe në pajtim me procedurat kushtetuese do të nominojë kandidatin për President Republikës së Kosovës, që do të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, sipas afateve kushtetuese”, tha nënkryetari i PDK.

Krasniqi tha se PDK nuk ka asnjë dyshim rreth zbatimit të plotë të marrëveshjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike.

Krasniqi tha se në Kryesinë e PDK-së është diskutuar edhe për thellimin e partneritet ndërkombëtar të Kosovës për të realizuar sa më parë zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, liberalizimin e vizave dhe krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në këtë mbledhje, kryesia e PDK-së ka vendosur që të rrisë aktivitetet në terren me të gjitha strukturat e saj, por nuk kanë diskutuar për zgjedhjen e pasardhësit të Hashim Thaçit në krye të partisë.

Top Channel