Përgjatë dekadës së fundit, rastet e ngacmimit seksual në punë janë gjithnjë në rritje. Qeveritë dhe organizatat e punonjësve dhe punëdhënësve në vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim janë përfshirë në ligje, shpeshherë edhe të ashpra për parandalimin dhe luftën ndaj këtij fenomeni.

Prej shumë kohësh femrat janë të ekspozuara ndaj ngacmimit seksual në vendin e tyre të punës. Çfarë përbën një ngacmim seksual?

Pavarësisht shumë përkufizimeve, ende nuk është dhënë një përcaktim i saktë. Një shumëllojshmëri gjestesh dhe fjalësh janë pjesë e ngacmimit, i cili ndodh në situata dhe përmasa të mëdha. Ngacmimi seksual mund të bëhet nëpërmjet një shakaje me fjalë të papërshtatshme ose erotike që thuhen nga shefi ose nga një koleg, nga shikimet në pjesë të veçanta trupore, kontakti fizik me prekje apo fërkime si dhe komente mbi pamjen e jashtme, veshjen, moshën apo jetën private.

Ngacmimi seksual lë pasoja të mëdha tek viktimat e tij. Studimet tregojnë se ai shkakton mërzi, acarim, nervozitet, pafuqi dhe turpërim. Ose në rastin më të keq, ngacmimi seksual mund të bëjë jetët e të prekurave të trishtueshme dhe shpeshherë të rrezikshme.

Studimi ka treguar se viktimat mund edhe të sëmuren kur ngacmohen vazhdimisht, sidomos në rastet kur ngacmohen nga eprori, domethënë kur mashkulli është dominues. Ngacmimi seksual për një kohë të gjatë në shumë raste shkakton tension të lartë, sëmundje të lidhura me stresin dhe madje çon edhe në depresion të rëndë.

Por ngacmimi seksual ka edhe kosto financiare. Si pasojë e tij, viktimat mund të humbasin shumë mundësi pune, shanse për të bërë karrierë, ose e lënë fare punën.

Si t’i dallojmë femrat që janë viktima të ngacmimit seksual? Ato humbin përqendrimin, nuk kanë gjykim të shëndoshë në një situatë pune, kanë tendencën për t’u bërë vonë për punë ose për të munguar fare gjatë ditës. Si pasojë, bie produktiviteti i punës, nëse është punë në grup ekipi dëmtohet, dhe ekziston mundësia për incidente ose aksidente.

Në këtë mënyrë, femrave që janë viktima të ngacmimit seksual u digjet mundësia për të qenë konkurruese në tregun e punës, për të aplikuar në ngritje në karrierë dhe të jenë të mirëpaguara si meshkujt. Për të gjitha këto arsye, parandalimi është shumë i nevojshëm, së bashku me ligjet dhe politikat antidiskriminuese.

Top Channel