Kosovë, reagon Enver Hasani: Aktakuza, hakmarrje ndaj meje

13/01/2016 00:00

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka reaguar ndaj ngritjes së aktakuzës kundër tij.

Në një reagim dërguar medieve, Hasani shprehet se pikërisht nga mediet e ka mësuar sot lajmin për këtë aktakuzë.

“Ju njoftoj se as në sistemet më totalitare nuk ngrihet aktakuze pa pasur një deklaratë të të pandehurit. Unë dje kam qenë në polici pa avokat dhe kam dërguar kërkesën që Gjykata Themelore është duke e shqyrtuar qe disa muaj dhe akoma nuk ka verdikt. Hetuesve ua kam bërë të qartë se kjo nuk është deklaratë e imja e as mbrojtje në heshtje siç e kërkon ligji. Kjo sepse një procedurë gjyqësore për çështjen e sigurimit të provës është duke u zhvilluar dhe akoma nuk ka përfunduar sepse ngelet e pazgjidhur çështja e imunitetit. Ngelet te ju ta vlerësoni nëse kjo është kështu. Emri i hetuesit që kam kontaktuar është Rreshter Avni Reqica. Kjo është më shumë se hakmarrje ndaj meje, arbitraritet i pafund”, thuhet në reagimin e Hasanit.

Top Channel