Kosovë, Prokuroria Speciale aktakuzë ndaj ish-kreut të Kushtetueses

13/01/2016 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të mërkurën aktakuzë kundër ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, tani të pandehurit Enver Hasani për veprat penale: “falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 i kodit penal dhe “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i kodit penal të Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, me dashje, duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme pozitën dhe autorizimin zyrtar, ka nxjerrë aktvendim për papranueshmëri për një rast që e kishte denoncuar Avokati i Popullit e që kishte të bënte me emërimet e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Kushtetuese nga ana e presidentes Atifete Jahjaga.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani me vendimin e tij ka ndikuar në mënyrë të kundërligjshme për fitimin e mandateve shtesë të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Prokuroria Speciale po ashtu e akuzon Hasanin se ai me dashje ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmëri, duke e shënuar në faqen e parë të aktvendimit edhe emrin e një gjyqtari, Robert Carolan, si pjesëmarrës në trajtimin e çështjes kushtetuese, e i cili sipas aktakuzës nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.

Aktakuza ndaj Enver Hasanit është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

E nëse Gjykata vërteton aktakuzën e prokurorisë, i pandehuri Enver Hasani mund të dënohet deri në 10 vjet burgim për dy akuzat e ngarkuara ndaj tij.

Kjo pasi sipas nenit 422 të kodit penal, ku flitet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, i pandehuri parashihet të dënohet nga 6 muaj deri në 5 vjet burg.

Ndërsa po ashtu edhe neni 434 i kodit penal, te pjesa e falsifikimit të dokumentit zyrtar, parasheh që personi zyrtar, i cili në dokumentin zyrtar shënon të dhëna të rreme ose nuk shënon të dhënat e duhura, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në 5 vjet burg.

Në këtë rast të Gjykatës Kushtetuese ka qenë nën hetime edhe kryetarja aktuale e kësaj gjykate Arta Rama Hajrizi, e cila është dyshuar për falsifikim të dokumentit zyrtar, por Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj sajë ka pushuar hetimet, për shkak të mungesës së provave.

Top Channel