Kupa e Mbretit, Mirandes bën surprizën, kualifikohet edhe Sevilla

12/01/2016 00:00

Sevilla dhe Mirandes kanë arritur të kualifikohen për në çerekfinale të Kupës së Mbretit. Djemtë e Emery arritën të kalojnë lehtësisht Betis për shkak edhe të avantazhit prej dy golash nga ndeshja e parë.

Sevilla fitoi edhe sfidën e dytë, por kësaj radhe me rezultat 4-0 falë golave të Reyes dhe Rami në pjesën e parë, si dhe të Gameiros dhe Kakutas në pjesën e dytë. Sevilla u kualifikua me rezultat të përgjithshëm 6-0.

Befasia e parë e këtij kompeticioni është skuadra e kategorisë së dytë, Mirandes, që arriti të eliminojnë Deportivo la Corunan pas fitores 0-3 në fushën e këtyre të fundit.

Ndeshja e parë përfundoi 1-1 dhe ishte gjithçka e hapur, por vendasit e Deportivos dukej që kishin nënvlerësuar kundërshtarin duke u turpëruar përpara tifozëve të vetë.

Provencio shënoi në minutën e 41 për t’i dhënë epërsinë minimale, ndërsa në pjesën e dytë, fillimisht Bastidas dhe më pas sërish Provencio vulosin kualifikimin, duke synuar suksesin e vitit 2012, kur u kualifikuan në gjysmëfinale të Kupës.

Top Channel