Depresioni, të bashkëjetosh me një armik të fshehtë

12/01/2016 00:00

Shoqëria shqiptare është në depresion. “Fakti që është tabu, bën që ne të shohim vetëm 1/8-n e ‘ajsbergut’”, japin alarmin mjekët psikiatër. Ata tregohen edhe më të vendosur kur thonë se, gati treçereku i shqiptarëve kanë antidepresivë në xhep.

Mjekët psikiatër pohojnë se, në më pak se 5 vite, pra në 2020-n, depresioni do të cilësohet “sëmundja e shekullit”, duke lënë në vend të dytë sëmundjet kardiovaskulare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, në raportin e vitit 2015 tregon se, janë rreth 350 milionë njerëz të të gjitha moshave në të gjithë globin, që vuajnë nga depresioni. Femrat janë më të prekura se meshkujt, ndërsa me formën më të rëndë depresioni çon në vetëvrasje.

Depresioni është gjendje e pikëllimit të thellë. Personi humb besimin në vetvete, shpresat për të ardhmen, si dhe interesin për aktivitetet e jetës. Tek ai shuhet çdo ndjesi kënaqësie e gëzimi shpirtëror.

Kjo gjendje ndodh si rezultat i shumë faktorëve, duke filluar nga dështimet e ndryshme gjatë përpjekjeve për arritjen e ndonjë qëllimi, e deri tek ato më të rëndat, humbja e personave të afërt. Nuk përjashtohet as trashëgimia genetike.

Depresioni është cilësuar si tuneli i errët, sëmundje e kohëve moderne, si një shkretëtirë e zbraztë, ku ti ndihesh i vdekur.

Urrejtja ndaj vetvetes dhe jetës mund të krijojë apati aq të thellë, saqë nuk sheh rrugëdalje nga ky “tunel ferri” përveç vetëvrasjes.

Shoqëria jonë e ka aq tabu depresionin, saqë një person nuk guxon ta bëjë publike sëmundjen, sepse etikohet menjëherë si “i çmendur”. Nuk ka asnjë lloj paragjykimi të thuash ‘vuaj nga kanceri, zemra apo veshka’, ndërsa kur pranon se kurohesh për depresion etiketohesh si “budalla”. Ndërkohë që depresioni është sëmundje si të gjithë të tjerat, që kërkon kurim.

Hapi i parë dhe më i vogël drejt kalimit të depresionit është të kërkoni mbështetje dhe ndihmë nga rrethi juaj. Flisni me familjen dhe shokët për situatën, në të cilën ndodheni, dhe rrini në shoqërinë e tyre. Ju do të ndiheni më të fuqishëm, kur e dini që nuk jeni vetëm. Forma të tjera të trajtimit janë: terapia farmaceutike, psikoterapia, terapia muzikale, teknika të relaksimit si joga apo meditimi, terapia hipnotike, aktivitete sportive, kulturore etj.

Është shumë e rëndësishme, që të mos injorohen simptomat e para të depresionit dhe ndërhyrja të bëhet në fazat fillestare, për ta parandaluar rrezikun e kalimit të sëmundjes nga format e lehta (neurozat), tek ato më të rëndat (psikozat), që kërkojnë pastaj trajtim të vazhdueshëm dhe të veçantë.

Top Channel