Transferimi ‘low cost’, Sadiku huazohet te Vaduzi

12/01/2016 00:00

Armando Sadiku ka finalizuar një lëvizje jo shumë të vlerësuar në karrierën e tij, duke rënë në nivel me kalimin te Vaduz, formacioni që lufton për mbijetesën në Superligën Zvicerane.

Futbollisti që ishte pjesë e eliminatoreve të Europianit 2016 dhe që është kontigjent për të qenë në finalet e turneut, është huazuar te skuadra nga Lihtenshteini që militon në kampionatin helvetik.

Vaduz aktualisht renditet në vendin e fundit dhe mund të quhet nga skuadrat më të dobëta të Sadikut në Zvicër, duke patur parasysh se është aktivizuar edhe me Luganon dhe Zyrihin.

Por 24-vjeçari nga Cërriku ka kërkuar të ketë një vend të sigurt titullar për gjysmën e sezonit.

Pak ditë më parë trajneri Xhani de Biazi tha se asnjë futbollist pa skuadër nuk do të konsiderohej për Euro 2016, dhe Armando Sadiku ka kërkuar të, lëvizë në avancë.

Sulmuesi shqiptar ka një kontratë deri në vitin 2018 me Zyrihun, por ka humbur formacionin për shkak të afrmit të rusit Kerzhakov. Në 51 ndeshje zyrtare me Zyrihun, Sadiku ka shënuar 14 gola.

Top Channel