Zvicra po josh Ajetin, futbollisti është ende ‘pezull’

12/01/2016 00:00

Në kohën kur Zvicra dhe Shqipëria e shohin veten si rivale të forta për fazën finale të Europianit të futbollit këtë verë, klima mes dy kombëtareve tensionohet edhe më shumë për shkak të zgjedhjeve kontroverse të futbollistëve.

Shumë prej atyre të lindur në Zvicër kanë dëgjuar zërin e origjinës duke mbrojtur ngjyrat kuqezi, ndërsa disa evokojnë me krenari fanelën helvetike, për një arsye apo tjetër.

Albian Ajeti është një prej talenteve më premtues të Ligës helvetike që është kthyer në mollë sherri mes FSHF dhe homologes zvicerane. I vendosur në fokus nga mediat helvetike, sulmuesi i lindur në Bazel në 26 Shkurt 1997, preferoi një përgjigje diplomatike.

“Do të doja që vendimin final për përfaqësimin në kombëtare, ta merrja në fundin e këtij sezoni, edhe pse Federata zvicerane kërkon një përgjigje pas disa javësh. Unë aktualisht mund t’i këndoj të dy himbet, si atë shqiptar ashtu dhe zviceran”, tha Albian Ajeti.

Talenti ofensiv është larguar këtë muaj nga Bazel për të provuar më shumë minuta në këmbë, me fanelën e Augsburgut në Bundesligën gjermane.

“Dua të përmirësohet fizikisht dhe jo financiarisht. Këtu e ndjej se kam më shumë shanse se në Angli”, tha sulmuesi kosovar.

Mediat helvetike e quajnë thuajse një talent të humbur, por që mund të rezervojë premierën në 11 qershor, duke aluduar në ndeshjen e parë të Europianit, datë kur luan si Shqipëria ashtu dhe Zvicra.

Top Channel