Kosovë, pas shkrirjes së “Mbrojtjes Civile” kontrata punësimi për ish-punonjësit

12/01/2016 00:00

Në zbatim të marrëveshjes së Brukselit për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” është përmbyllur procesi i nënshkrimit të kontratave, për individët që janë përzgjedhur për t’u bërë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, njofton zyra për Komunikimin Publik e qeverisë.

Në komunikatë sqarohet se, integrimi i 483 personave në pajtim me marrëveshjen e Brukselit është bërë pasi ata kanë kaluar verifikimet e sigurisë nga ana e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në vend.

“Qëllimi ka qenë i natyrës strategjike, për të mundësuar shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, përmes vendosjes së institucioneve qendrore që kanë veprimtari lokale edhe në atë pjesë, të munguar prej një kohe të gjatë e për shkaqe të njohura politike”, thuhet në komunikatën sqaruese, të shoqëruar nga foto të marra gjatë procesit të nënshkrimit të kontratave.

Por Lëvizja Vetëvendosje, në një komunikatë për shtyp akuzon qeverinë se, nuk u shqetësua aspak për të vërtetuar se çfarë kanë bërë këta persona të sapopunësuar në Policinë e Kosovës para luftës, gjatë luftës e pas luftës.

Sipas tyre, po vërtetohet sërish qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje se, dialogu në Bruksel nuk po i integron serbët në Kosovë, por po integron Serbinë dhe strukturat e saj në shtetin gjithnjë e më të varur të Kosovës.

“E për më keq, ky ‘integrim’ i strukturave paralele të Serbisë në Policinë e Kosovës është edhe një skandal ekonomik. Në një vend si Kosova, ku papunësia është shumë e madhe dhe ku për një vend pune aplikojnë me qindra qytetarë, sot po pranohen pa konkurs paramilitarët serbë të ‘Mbrojtjes Civile’”, thuhet në komunikatën e VV-së.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel