Horner për Wolff: Pengoi akordin Red Bull-Mercedes

12/01/2016 00:00

Te Red Bull ende nuk është kapërdirë mungesa e marrëveshjes me Mercedes për furnizimin me motorë.

Sipas Shefit të skuadrës austriake, Christian Horner, ai që ndikoi shumë në dështimin e këtyre bisedimeve ishte pikërisht Toto Wolff.

“Mateshitz ishte përfshirë i gjithi në bisedimet me Mercedes për çështjen e motorëve dhe besoi se kishte arritur edhe një marrëveshje me këtë skuadër”, tha Horner në një intervistë për motorsport.com. “Edhe Niki Lauda bëri maksimumin në këtë pikë, por për fat të keq Toto Wolff përmbysi gjithçka, kjo për faktin se nuk dëshironte të shihte një motor Mercedes te Red Bull”.

Por, Mercedes nuk ishte i vetmi që refuzoi bashkëpunimin me Red Bull. Një gjë të tillë e bëri më vonë edhe Ferrari dhe sipas Horner, këto lëvizje të skuadrave më të mëdha të Formula 1 u bënë duke parë se Red Bull filloi të bëjë paraqitje më të mira në pjesën e dytë të sezonit.

“Paraqitjet tona në Spa dhe Singapore filluan të trembin shumë persona te Mercedes dhe Ferrari”, vijoi Horner, “kështu që në një farë mënyre u  bëmë viktimë e punës sonë. Por gjithnjë është e nevojshme që të vazhdohet puna për të gjetur zgjidhjet më të mira”.

Top Channel