Jahjaga, turne me objektiv zhvillimin ekonomik nëpër disa komuna

12/01/2016 13:45

Ndërkohë që kanë mbetur edhe dy muaj nga përfundimi i mandatit të saj, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka nisur një tur vizitash nëpër disa komuna të Kosovës.

Ndalesa e parë ishte në komunat e Dukagjinit, përkatësisht Klinë, Istog, Pejë, Deçan dhe Junik. E shoqëruar edhe nga kryetarët e institucioneve, që përfaqësojnë bizneset në Kosovë, në takimet e Jahjagës me kryetarët e komunave, temë diskutimi ishte zhvillimi ekonomik.

“Pas takimeve të shumta, që kam pasur gjatë festave të fundvitit me kryetarët e odave ekonomike, respektivisht asaj të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, si dhe me shumë investitorë që kanë interes dhe potenciale investimi nëpër komunat e Kosovës, janë ngritur shumë probleme, shumë vështirësi, qofshin ato të nivelit lokal, ashtu dhe të nivelit qendror. Problemet ua kanë vështirësuar këto investime apo edhe i kanë dekurajuar këta investitorë, që t’i realizojnë investimet e tyre në kuadër të komunave të ndryshme të Kosovës”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Kryetari i Pejës, qytet i rrethuar nga Bjeshkët e Rugovës, kërkoi nga presidentja, që përmes kontakteve të saj me investitorët, të ndihmojë në realizimin e projektit për ndërtimin e një qendre të skijimit.

“Pata nderin të informoja presidenten për zhvillimet ekonomike dhe planet që ka Komuna e Pejës, si dhe planin më të madh tonin: qendrën e skijimit ‘Borea’. Kërkova prej presidentes që të na ndihmojë në realizimin e këtij projekti, me donatorët apo investitorët e mundshëm që ajo ka takuar”, tha Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.

Në fund të vizitës, Presidentja Jahjaga iu përgjigj interesimit të gazetarëve nëse do të rikandidojë sërish, por ajo u mjaftua të thoshte vetëm kohën, se kur përfundon mandati i saj pesëvjeçar.

“Mandati i Presidentit përfundon në prill të këtij viti”, tha Atifete Jahjaga.

Jahjaga bëri edhe një herë thirrje për dialog të mirëfilltë brenda institucioneve, duke shtuar se dhuna nuk është zgjidhje. Turneu i saj nëpër qytetet e Kosovës do të vazhdojë, teksa parashikohet të përfundojë në fund të këtij muaji.

Top Channel