Cavani kërkon largimin nga PSG

12/01/2016 11:55

Edinson  Cavani rishfaq pakënaqësitë e tij te PSG. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja franceze “L’Equipe”, sulmuesi uruguajan nuk dëshiron më të qëndrojë në kryeqytetin francez dhe po mendon për largimin e tij në fund të këtij sezoni.

Gjithnjë sipas “L’Equipe”, pakënaqësia e Cavanit është krijuar nga fakti se ai nuk mundi në asnjë moment që të sigurojë një vend në formacionin bazë të trajnerit Loran Blank, ndërkohë që për ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Bastias, ai nuk u grumbullua fare në skuadër.

Mundësia e vetme për Kavanin që të qëndrojë te PSG është pikërisht Zlatan Ibrahimivic. Sulmuesi suedez ka të ngjarë që të largohet nga Franca në muajin qershor dhe kjo i jep mundësinë uruguajanit që të jetë zgjedhja e parë e trajnerit Blank për sulmin.

Por problemi qëndron te sjellja e shfaqur nga Cavani që nuk është pëlqyer nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, të cilët duket se janë ankuar te Blank.

Tiago Silva, Ibrahimovic, Mota e Matuidi patën një diskutim me Cavanin në fund të muajit dhjetor kur skuadra ishte në Doha dhe kjo ka shkaktuar edhe prishjen e raporteve mes tyre duke krijuar një situatë të padurueshme për uruguajanin, që po kërkon të ndërrojë ambient.

Top Channel