Deputetët europianë Richard Howitt, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgl kanë biseduar të hënën pasdite në Shkup me drejtuesit e partive politike, rreth zbatimit të marrëveshjes së 2 qershorit.

Udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë para deputetëve europianë se, pjesa më e madhe e dokumentit politik për zgjidhjen e krizës është përmbushur, teksa është shprehur kundër shtyrjes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të caktuara për më 24 prill.

“BDI është kategorikisht kundër, që data e zgjedhjeve të shtyhet. Kërkojmë që data dhe marrëveshja të respektohen, sepse shtyrja e zgjedhjeve do të thotë vazhdim i krizës dhe ne nuk kemi gatishmëri, që të negociojmë për shtyrjen e zgjedhjeve”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nga ana tjetër, kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi ka shprehur shqetësimin e tij për ngecjen e procesit për pastrimin e listës zgjedhore dhe për mosrespektimin e marrëveshjes për emërimin e një shqiptari, për Sekretar të Përgjithshëm në Komisionin Shtetëror Zgjedhor.

“Qëndrimi ynë është se, nëse brenda kësaj jave Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk do të fillojë të punojë me kapacitete të plota dhe nuk rikthehet situata e marrëveshjes së mëparshme, që Sekretar i Përgjithshëm të jetë një kuadro shqiptar i propozuar nga Partia Demokratike Shqiptare, shpresat për zgjedhje të drejta, korrekte dhe demokratike dalëngadalë do të  veniten”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Deputetët europianë u takuan edhe me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ka thënë se partia që ai drejton ka përmbushur të gjitha detyrimet, që burojnë nga marrëveshja e 2 qershorit, dhe ka shprehur keqardhjen për mospërmbushjen e reformave në pikat kyçe, të lidhura me procesin zgjedhor.

Në mungesë të kryeministrit Nikola Gruevski, i cili ndodhet për një vizitë në SHBA, eurodeputetët u takuan me zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së. Qëndrimet e tyre për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, deputetët europianë do t’i shpalosin në një konferencë për mediat, ditën e martë.

Top Channel