“Topi i Artë”, ja si votuan kapiteni Cana, trajneri De Biasi dhe përfaqësuesi i medias

11/01/2016 00:00

Ceremonia e “Topit të Artë” përfundoi me triumfin e Lionel Messit, i cili hyri në histori si i pari lojtar që e fiton plot 5 herë këtë trofe kaq të lakmueshëm për individë në botën e futbollit, por Lorik Cana nuk ndan të njëjtin mendim me shumicën e trajnerëve, kapitenëve dhe komunitetit të gazetarëve që kanë votuar më herët për këtë gjë.

Sa i përket lojtarit më të mirë të vitit, kapiteni i kombëtares kuqezi ka preferuar Cristiano Ronaldon përpara dyshes së katalanasve Messi e Neymar (të cilët fituan Championsin kundër Juventusit në finale), edhe pse portugezi nuk fitoi asgjë në edicionin e kaluar: as kampionat, as Champions dhe as ndonjë trofe të rëndësishëm me Portugalinë, pasi nuk ishte vit impenjativ për ekipet kombëtare në mungesë të ndonjë Botërori apo Europiani. Ndryshe nga ai, trajneri italo-shqiptar Giovanni De Biasi i ka dhënë votën kryesore argjentinasit Messi, duke lënë pas Ronaldon dhe Thomas Muller të Bayern Munchen. Edhe në këtë përzgjedhje të teknikut të Shqipërisë mbetet për t’u diskutuar vendi i tretë, pasi shumëkush mund të mendojë pse nuk është Suarez dhe është votuar Muller, gjithsesi votimet janë individuale.

Shumë pak mund të mos e dinë, por për këtë trofe prestigjioz votojnë edhe përfaqësuesit e medias, e këtë rol nga Shqipëria e ka luajtur Besnik Dizdari, i cili ka preferuar “pleshtin” përpara Ronaldos dhe Neymar, duke mos dalë jashtë treshes së pretendentëve.

Ndërkohë, sa i përket votimit për trajnerin më të mirë të vitit, Cana ka preferuar Luis Enrique Martinez, atë të Barcelonës, përkundrejt Massimiliano Allegrit dhe Unai Emery, njëri i Juventusit dhe tjetri i Sevillas në Spanjë. Ndryshe nga kapiteni i kuqezinjve, trajneri De Biasi dallon vetëm në preferencën e tretë, duke përzgjedhur Jorge Sampaolin e Kilit. Ndërsa për gazetarin Besnik Dizdari, në këtë treshe nuk ka vend për teknikun e Juventusit, edhe pse shkoi deri në finale të Championsit, duke preferuar pas teknikut katalanas, ata të Sevillas dhe Kilit, pra Emery dhe Sampaoli.

Top Channel