Maqedoni, një antishqiptar në krye të komisionit antidiskriminim

11/01/2016 00:00

Profesori maqedonas, i njohur për bindjet e tij antishqiptare, Toni Naunovski është zgjedhur anëtar i Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në Maqedoni. Përbërja e komisionit, ku ai bën pjesë, është mbështetur edhe nga anëtari i BDI-së, në Komisionin parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet.

Antishqiptari Toni Naunovski, në mediat proqeveritare maqedonase ka shprehur hapur urrejtjen ndaj shqiptarëve, madje duke i quajtur ata “fashistë, njerëz të egër dhe armiq të vendit”. Në një shkrim të tijin, ai u ka sugjeruar shqiptarëve të Maqedonisë të shpërngulen në Shqipëri, nëse nuk u pëlqen pozicioni që kanë në vendin fqinj.

Partia maqedonase në opozitë, LSDM e ka quajtur një vendim skandaloz të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, zgjedhjen e përbërjes së Komisionit për Mbrojten nga Diskriminimi, ku bën pjesë edhe antishqiptari Toni Naunovski.

Nga ana tjetër, deputeti i opozitës shqiptare Orhan Ibrahimi, për këtë vendim akuzoi partinë e Ali Ahmetit, BDI, e cila – sipas tij, – është e pafuqishme për të penguar vendimet antishqiptare të qeverisë.

“Është subjekti shqiptar, ai që duhet t’i ndalë propozimet e VMRO-së që janë kundër bashkëjetesës në Maqedoni. Por, meqë Bashkimi Demokratik për Integrim ka shkelur ditë më parë mbi marrëveshjen e garantuar nga faktori ndërkombëtar, me të cilën parashikohej që sekretari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të ishte shqiptar, vendimi i sotëm nuk i bën fare përshtypje BDI-së, pasi nuk e ka problem emërimin e këtij individi”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Profesori me bindje antishqiptare, Toni Naunovski është emëruar në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi me propozim të partisë maqedonase, VMRO-DPMNE. Komisioni përbëhet nga 7 anëtarë gjithsej, 5 prej të cilëve maqedonas dhe dy shqiptarë, këta të fundit të propozuar nga BDI-ja.

Top Channel