Rikthimi i dosjes për makinat e EULEX-it, reagon VV

11/01/2016 00:00

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje po kërkohen nga policia dhe po arrestohen për shkak të organizimit të aksionit tonë protestues kundër EULEX-it, më 25 gusht 2009. Në atë aksion, aktivistët e Vetëvendosjes përmbysën 25 automjete të EULEX-it.

Pas ndërhyrjes së policisë, 22 aktivistë u arrestuan, disa prej të cilëve u lënduan dhe u rrahën në ambientet policore. Pas 6 vitesh gjykatat e Kosovës kanë hapur dosjen kundër aktivistëve për atë protestë, të cilën koha e ka dëshmuar të drejtë.

Atëherë ne thamë se, prania e EULEX-it në Kosovë ishte jodemokratike, pasi jo vetëm që zyrtarët e tij ishin përmbi ligjin vendas, duke mos i dhënë llogari askujt e duke mos mbajtur përgjegjësi, por ç’është më e rënda, EULEX-i nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

EULEX vijon të mbetet një eksperiment, përpjekje e Bashkimit Europian për të prodhuar një kozmetikë të drejtësisë në Kosovë. Sot, pas 8 vitesh ekzistencë, EULEX-i mund të konsiderohet një eksperiment tërësisht i dështuar. Edhe zyrtarë të EULEX-it kanë folur për përfshirjen e vet EULEX-it në afera korruptive, me oligarkët e kriminelët që kanë pushtetin në Kosovë.

Gjatë gjithë këtyre viteve, Kosova vazhdon të ketë një sistem gjyqësor dhe një drejtësi të diskredituar dhe jofunksionale. Kjo drejtësi e mbikëqyrur dhe e drejtuar nga EULEX-i, e cila sot dëshiron të dënojë aktivistët për veprimet e tyre politike, kurrë nuk ka guxuar të nisë hetimet mbi dosjet për korrupsionin e kryeministrit Isa Mustafa. Kjo drejtësi kurrë nuk ka guxuar të gjykojë e të dënojë asnjë zyrtar të lartë, apo politikan të rëndësishëm të partive në pushtet.

Aktivistët tanë nuk do t’u përgjigjen thirrjeve të këtij procesi gjyqësor, pasi ky është proces politik. Sot, si në 2009-n, ne përsërisim të njëjtin mesazh: EULEX-i duhet të largohet!

Drejtësia jonë nuk mund të jetë eksperimentale. Ajo duhet çliruar nga kapja e oligarkëve dhe kriminelëve vendas, siç duhet çliruar edhe nga ndërhyrjet jodemokratike që nuk i japin llogari qytetarit të Kosovës. Drejtësia duhet të jetë demokratike, të funksionojë me një standard dhe t’u japë llogari qytetarëve të Kosovës. Vetëm ajo drejtësi do të jetë e pranueshme për ne dhe për këdo.

Top Channel