Shpërbëhet “Mbrojtja Civile”. Tashmë të integruar në shtetin e Kosovës

11/01/2016 00:00

Qeveria e Kosovës synon ta integrojë pjesën veriore duke i bërë pjesë të institucioneve vendase personat, të cilët që nga paslufta kanë qenë pjesë e formacioneve të shtetit serb dhe që kundërshtonin Pavarësinë e Kosovës.

Kështu po ndodh edhe me të ashtuquajturën “Mbrojtja Civile”, e cila prej vitesh zëvendëson institucionin e reagimit të shpejtë dhe të emergjencës së shtetit në veri.

Qeveria njoftoi se, ky formacion është shpërbërë në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe se 500 pjesëtarë afërsisht janë bërë pjesë e institucioneve shtetërore. Ata kanë nënshkruar kontratat e punës me institucionet e shtetit dhe, nga 1 janari i këtij viti kanë hyrë në listën e pagave të buxhetit të shtetit.

Qeveria publikoi edhe institucionet, në të cilat pjesëtarët e ish-“Mbrojtjes Civile” kanë aderuar. Kështu duket se, bazuar edhe në natyrën e punës së tyre në kohën kur konsideroheshin strukturë ilegale, 80 pjesëtarë të saj do të punojnë në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

Të tjerët, ndërkaq, janë shpërndarë në Shërbimin Korrektues të Kosovës, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Administratën Tatimore të Kosovës, në institucione të ndryshme qendrore dhe në disa ministri të Qeverisë së Kosovës.

Sipas qeverisë, ish-pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” janë integruar në këto institucione në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi ligjor rekrutimi.

Në komunikatën për mediat citohet ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, sipas së cilës, shpërbërja e “Mbrojtjes Civile” shënon një hap shumë të rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, e që u mundësua falë dialogut të Brukselit dhe marrëveshjes për shpërbërjen e këtij formacioni ilegal.

Top Channel