Qosja: Ata që mbajnë pushtetin me dhunë, duhet të largohen

10/01/2016 00:00

Akademiku kosovar, Rexhep Qosja, vlerëson me nota pozitive reagimin qytetar në protestën e së shtunës duke kritikuar kështu ashpër qeverinë se me qëndrimin e saj po vazhdon të ushtrojë funksionin e saj si të ishte Kosova despoti orientale, në të cilën, siç shkruan Qosja, despotët s’duan të dinë as për kushtetutë e as për popull.

“Ata që po e shpërfillin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vullnetin e pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës, ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre tashmë të paligjshme, kurse kryetarja e Kosovës po kërkon që për tejkalimin e krizës të bëhet dialog me një qeveri tashmë të paligjshme. Dhe, kështu edhe kryetarja e Kosovës, jo për herë të parë, po shkel vlerat dhe parimet demokratike”, shkruan Qosja.

Akademiku kosovar vlerëson se Kosova nuk do të qetësohet derisa të jenë në pushtet këta njerëz “që më shumë kanë frikë gazin lotsjellës në Kuvend se projektin e Serbisë për shtet të dytë serb brenda Kosovës”.

Ndonëse nuk i ka përmendur emrin, Rexhep Qosja e ka sulmuar kryeministrin Isa Mustafa, duke thënë se hapi i parë drejt këtij shërimi të Kosovës është largimi i qeverisë së atij i cili me jetëshkrimin, me fjalët dhe me mendimin e tij, na e sjell në kujtesë regjimin e 25-viteve.

“Por, në qoftë se nuk duan të largohen vullnetshëm ai dhe bashkësundimtarët e tij, demokracia europiane dhe ajo amerikane na mësojnë që Ata që me dhunë e mbajnë pushtetin, ata me dhunë duhet të dëbohen prej pushtetit”, shkruan Qosja në Facebook.

Top Channel