“Topi i Artë”, në pritje të fituesit të trofeut

10/01/2016 00:00

Ashtu siç ndodh çdo vit, Zyrihu do të jetë skena ku do të jepet trofeu i “Topit të Artë” për futbollistin më të mirë në botë.

Për 2015-n,  kandidatët për ta fituar atë janë të zakonshmit Messi, Ronaldo dhe Neymar. Kjo do të jetë hera e shtatë që sulmuesit e Barcelonës dhe Realit të Madridit garojnë për trofeun më të rëndësishëm individual.

Për argjentinasin kjo është hera e nëntë që është mes 3 finalistëve, duke e fituar këtë trofe 4 herë në periudhën 2009-2012. Ndërsa Ronaldo e ka fituar “Topin e Artë” 3 herë, 1 herë në 2008 kur ishte pjesë e Manchester United dhe 2 herë me Realin e Madridit në 2013 dhe 2014.

Hera e vetme që këta dy futbollistë nuk kanë qenë bashkë në fazën finale në garën për këtë trofe ishte në vitin 2010. Në atë kohë finalistët ishin Messi, Iniesta dhe Xavi. Për këtë vit, Messi është në ‘pole position’ për ta fituar “Topin e Artë”, që do të ishte hera e pestë për të në karrierë. Argjentinasi dha një kontribut shumë të madh në sukseset e Barcelonës gjatë 2015 me skuadrën katalanase që fitoi 5 trofe nga 6 të mundshmit.

Cristiano Ronaldo nga ana tjetër, shënoi shumë gola për Realin e Madridit vitin e kaluar, por skuadra merenges nuk mundi të fitojë asnjë trofe. Rivali i këtij binomi është Neymar, i cili gjatë vitit 2015 ishte në një formë të shkëlqyer dhe së bashku me Suarez e Messin formuan një treshe të frikshme sulmuese. Tre finalistët e “Topit të Artë” u përcaktuan nga votat e trajnerëve e kapitenëve të skuadrave përfaqësuese si dhe gazetarët sportive.

Ndërkaq, në ceremoninë e “Topit të Artë” do te jepet edhe çmimi i trajnerit më të mirë, ku në garë janë Luis Enrique, Pep Guardiola e Jorge Sampaoli. Për futbollisten më të mirë të vitit finalistet janë Carli Lloyd, Aja Mijama dhe Selia Sasic.

Top Channel