Hetimet e atentateve të fillimvitit, Policia: Jemi pranë arrestimit të autorëve

10/01/2016 00:00

Pas arrestimit të Ilir Memushajt në Vlorë, policia është vënë në ndjekje të 3 personave, të dyshuar si autorë të vrasjes në segmentin rrugor Lushnje-Fier, ku humbi jetën Denis Kasaj dhe u plagosën dy të tjerë.

Policia tha se ka prova të mjaftueshme, që i arrestuari është bashkëpunëtor në këtë vrasje dhe është personi kyç për zbardhjen e mëtejshme të tij.

Në atentat kanë marrë pjesë 4 persona, një fakt ky që dëshmohet edhe nga vet të plagosurit. Por të dy i kanë shërbyer pak policisë me dëshmitë e tyre, pasi deklarojnë se nuk i njohën autorët. Ata kanë arritur të dallojnë vetëm lëvizjet e atentatorëve, por nuk japin identitetet e tyre.

Ndërsa i arrestuari, edhe pse nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, lëvizjet e tij në dy ditët e fundit do ta dërgojnë policinë drejt arrestimit të 3 personave të tjerë, që morën pjesë në vrasje.

Hetimet lidhen me një vrasje të kryer 15 vite më parë. Ky është motivi kryesor, me të cilin po lëvizin hetuesit e kësaj çështjeje. Por poilicia, në 24 orët e fundit duket se ka bërë një kthesë të fortë, për t’iu afruar arrestimeve edhe për vrasjet e tjera të kryera në Lezhë, Durrës dhe Vlorë, vrasje këto që krijuan një seri, që goditi opinionin në javën e parë të 2016-s.

Policia e Tiranës është duke ngushtuar ndjeshëm rrethin e të dyshuarve për vrasjen e Gazmend Çollakut. Pasi ka shoqëruar në mesjavë më shumë se 30 persona, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje, policia shprehet se është çështje kohe edhe arrestimi i të dyshuarit si vrasës.

Lidhja e kësaj vrasjeje vazhdon të mbetet ajo e eliminimit të anëtarëve të rrjeteve të narkotrafikut në Shqipëri. E tillë është edhe historia e një 36-vjeçari të vrarë në Vlorë. Andrea Billa mendohet që në vitet e fundit ka qenë skafisti kryesor i një rrjeti narkotrafiku, që lidhte Marokun me Spanjën.

Policia është e bindur se konflikti ka ndodhur i gjithi në Spanjë dhe është transportuar në Vlorë. Autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje, ata që dyshohen si të implikuar në rrjet, mund të kenë paguar dikë për eliminimin e skafistit, pasi ky i fundit humbi një ngarkesë pak ditë para Vitit të Ri.

Ndërsa në Lezhë, ish-punonjësi i Policisë i ekzekutuar mbrëmjen e 2 janarit, mendohet se është tërësisht një vrasje për hakmarrje, por familja në konflikt me të ka alibi për natën në të cilën ndodhi ngjarja.

Top Channel