Kosovë, protesta e opozitës përshkallëzohet në dhunë

09/01/2016 15:35

Mijëra protestues nga të gjitha qytetet e Kosovës kanë marrë pjesë të shtunën në protestën e opozitës në Prishtinë, e cila edhe pse nisi e qetë para Bibliotekës Kombëtare përfundoi me  sulme ndaj godinës së qeverisë.

Para se situata të përshkallëzohej, mijëra protestues, sipas opozitës rreth 100 mijë, marshuan drejt qendrës së kryeqytetit nëpërmjet sheshit “Nënë Tereza”, për të dëgjuar fjalimet e liderëve të opozitës.

“Ne iu themi këtyre që ta kemi Kosovën me ushtri e jo pa ushtri si sot; që t’i kthejmë kufijtë tanë e jo të na i marrin; që të kemi shtet me sovranitet”, deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ne nuk duam të qeverisemi nga ata që kanë shkelur Kushtetutën dhe kanë bërë pazar me sovranitetin tonë. Nëse ata s’e kanë kuptuar deri mbrëmë se çfarë kanë bërë, sot në Prishtinë ka rënë qeveria e Kosovës”, tha kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

“Ju sot dëshmoni qartë se nuk mund të durojmë më. Ky masivitet popullor i tregon Isës dhe Hashimit se nuk mbahet pushteti me polici, nuk mbahet me përndjekje e shtypje. Nuk ka shtet me sovranitet kur në krye të tij janë miqtë e Vuçiçit dhe Daçiçit”, tha kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Por teksa kryetari i Vetëvendosjes po mbaronte fjalimin dhe po shpallte mbylljen e protestës, aktivistët opozitarë filluan të gjuanin me mjete të forta dhe përmes koktejeve të molotovit i vunë flakën një pjese të godinës qeveritare.

Nuk mjaftuan as thirrjet e organizatorëve dhe të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi për të ndalur përshkallëzimin e situatës.

E ndërsa partitë opozitare falenderuan qytetarët për pjesëmarrjen në protestë dhe paralajmëruan vazhdimin e tyre, presidentja Atifete Jahjaga dhe institucione të tjera në vend kanë dënuar veprimet e dhunshme të manifestuesve.

Top Channel