Greqi, çështja “luleshtrydhet e përgjakura” shkon në Strasburg

08/01/2016 00:00

Këshilli grek për Refugjatët ka njoftuar se, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut pritet që pas datës 20 janar të marrë në konsideratë ankesën e 42 emigrantëve nga Bangladeshi kundër Greqisë, për shkelje të nenit 4 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kjo është hera e parë, që shqyrtohet një çështje greke për shkelje të nenit në fjalë dhe i pari në nivel europian që i referohet në një shkallë kaq të gjerë fenomenit të punës së detyruar.

Në të njëjtën kohë, 4 organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe një institucion akademik do të jenë pala e tretë në gjyq dhe, së bashku me autoritetet greke janë ftuar të shfaqin pozicionimin e tyre mbi shkeljen e detyrimeve sipas nenit 4.

Në prillin e vitit 2013, 28 emigrantë – kryesisht nga Bangladeshi, – janë plagosur, kur një pronar ferme me plantacione lulështrydhesh, bashkë me një prej 3 mbikëqyrësve të tij, hapën zjarr ndaj rreth 200 emigrantëve, që kërkonin pagat për 6 muajt përgjatë të cilëve ata kishin punuar.

Rreth një vit më vonë, një gjykatë greke që shyrqtoi çështjen nuk dënoi asnjë prej 4 personave që akuzoheshin, me gjithë reagimet brenda vendit.

Fshati Manoladha është konsideruar edhe në të kaluarën si një prej vendeve, ku keqtrajtoheshin emigrantët. Në vitet 2011-2014, gjatë muajve të verës, shumë fermerë grekë strehonin në disa kampe në kushte primitive pune dhe jete, të pasiguruar, qindra emigrantë ilegalë, duke i paguar me vetëm 3-5 euro për 15 orë pune në ditë, për mbledhjen e lulështrydheve.

Sipas Këshillit grek për Refugjatët, që ka mbështetur emigrantët në gjykatë, shteti grek ka pasur probleme në përballimin e dukurive, si shfrytëzimi i emigrantëve dhe kushteve në të cilat punonin.

Ndaj dhe ankimimi në Gjykatën e Strasburgut është shpresa e vetme për një hap të parë për të rivendosur legjitimitetin dhe për të parandaluar në të ardhmen fenomene, si puna e detyruar në të ashtuquajturat – sipas shtypit të atëhershëm, – “plantacione të lulështrydheve të përgjakura”.

Top Channel