Letërnjoftimet false, miratohet komisioni anketues në Maqedoni

08/01/2016 00:00

Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar formimin e një komisioni anketues, që do të hetojë skandalin me letërnjoftimet e falsifikuara, por rreth përbërjes së tij janë shfaqur probleme.

Partia opozitare LSDM, të hënën nuk ka propozuar asnjë anëtar dhe ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në punën e këtij komisioni.

Deputetët opozitarë thanë se, përmes kësaj nismeje, mazhoranca po mundohet të pengojë punën e komisionit parlamentar për hetimin e skandalit të përgjimeve, që duhet të zbulojë përfshirjen e kryeministrit Nikola Gruevski, jo vetëm në falsifikimin e letërnjoftimeve, por edhe në krime të tjera të rënda.

“Keni formuar një komision për të kundërshtuar komisionin parlamentar për hetimin e skandalit të përgjimeve, që është formuar sipas marrëveshjes së 2 qershorit. Të gjitha çështjet, që kanë të bëjnë me përgjimet, ku flitet edhe për skandalin e letërnjoftimeve, janë përgjegjësi e komisionit anketues për skandalin e përgjimeve, dhe nuk ka nevojë të bëni teatër këtu”, tha Goran Sugarevski, deputet i LSDM-së.

Emrat e anëtarëve të komisionit anketues për letërnjoftimet e falsifikuara pritet të mësohen ditën e hënë, pasi mazhoranca i ka bërë thirrje LSDM-së opozitare, që ta shqyrtojë edhe një herë vendimin për bojkot. Partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE këmbëngul që komisioni të fillojë sa më parë me punën, për të zbardhur të vërtetën mbi falsifikimin e shumë letërnjoftimeve dhe pasaportave.

“Falsifikimi i letërnjoftimeve nuk mund të shqyrtohet nga komisioni për skandalin e përgjimeve, sepse nuk parashikohet në kompetencat e tij. Nuk ka nevojë të frikësoheni nga formimi i një komisioni të ri, sepse e vërteta për flasifikimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave të shumta duhet të zbardhet”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ditë më parë, ministri i Brendshëm, i emëruar me propozimin e opozitës maqedonase, Oliver Spasovski tha se, në institucionin që ai drejton prej dy muajsh janë zbuluar 424 karta identiteti të falsifikuara, me të cilat janë pajisur banorët e Pustecit të Shqipërisë, të cilët në mënyrë antiligjore kanë votuar në zgjedhjet e kaluara në Maqedoni.

Paraprakisht, gjatë dhejtorit të kaluar policia kishte njoftuar se kishte zbuluar në një shtëpi në Shkup, disa pajisje për falsifikimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave.

Top Channel