Mustafa e Thaçi, thirrje opozitës: Shmangni veprimet e dhunshme

08/01/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, kanë ftuar partitë e opozitës, që protestën e së shtunës ta mbajnë të qetë dhe të shmangin të gjitha veprimet e dhunshme.

Në një mbledhje të dytë të qeverisë, të ftuar gjatë ditës, kryeministri Mustafa i ftoi qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të mos bëhen pjesë e dhunës në protesta, ndërsa zëvendëskryeministri Thaçi tha se, opozita po rrezikon prishjen e Kosovës me aleatët perëndimorë.

“Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mbledhje të qeverisë, për t’u bërë thirrje partive politike të opozitës, që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore. Kjo, para së gjithash, sepse Kosova ka përjetuar mjaft dhunë dhe askush nuk ka të drejtë të demonstrojë dhunë për motive politike dhe për ardhjen në pushtet”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Kërcënimi për protesta të dhunshme, që do të cënonin procesin e liberalizimit të vizave, apo themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, do të lëndonin bashkëpunimin e shkëlqyer me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n. Prandaj është në interesin e të gjithëve, që të shikojmë drejt një perspektive të përbashkët të agjendës shtetërore dhe në asnjë rrethanë konfrontuese. Tek e fundit, se kush e udhëheq vendin, atë e vendosin qytetarët e vendit e jo pretendimet e 3-4 individëve”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Mustafa dhe Thaçi i bënë këto komente në mbledhjen e qeverisë, ku u mor vendim që të ndahet një buxhet prej 17 mijë e 600 dollarësh për kompaninë amerikane “PattonBoggs”, e cila do ta mbrojë Qeverinë e Kosovës në Arbitrazhin ndërkombëtar nga padia e kompanisë “Aksos”, për dështimin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Top Channel