Dakar 2016, vijon dominimi i Peugeot dhe Loeb

08/01/2016 11:00

Në Rally Dakar vijon dominimi i Peugeot dhe Sebastian Loeb. Piloti francez, që debuton në këtë aktivitet, fitoi etapën e pestë, sukses ky i treti për të në harkun  e vetëm pak ditëve. Loeb dhe bashkë-piloti i tij Dani Elena e mbyllën etapën me kohën 3 orë 32 minuta e 34 sekonda, duke lënë në vendin e dytë spanjollin Carlos Sainz (edhe ky me Peugeot) me 22 sekonda më shumë se Loeb, ndërsa vendi i tretë i takoi një tjetër piloti të kësaj skuadre, Stefan Peterhansel.

Me fitoren e etapës së pestë, Sebastian Loeb përforcon pozitën e tij në krye të renditjes me kohën 13 orë 17 minuta e 25 sekonda. Në vendin e dytë gjendet Peterhansel me 7 minuta e 48 sekonda më shumë, ndërsa i treti pozicionohet Carlos Sainz.

Në kategorinë e motorëve, australiani Tobi Price me KTM fitoi këtë etapë të pestë të Rally Dakar me 4 orë 3 minuta e 44 sekonda, i ndjekur në vendin e dytë nga sllovaku Stefan Svitko, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua Walkner. Portugezi Gonçalves e mbylli etapën në vendin e 12, por megjithatë ai e ruan kryesimin në renditjen e përgjithshme me 14 orë 30 minuta e 7 sekonda.

Në vendin e dytë është ngjitur Svitko me 1 minutë e 45 sekonda më shumë, ndërsa në të tretin tani gjendet fituesi i etapës, Tobi Price.

Top Channel