Krishtlindja ortodokse serbe në Pejë, Vulin: Të zbardhen krimet ndaj serbëve

07/01/2016 00:00

Dy zyrtarë të lartë serbë vizituan serbët e  Kosovës me rastin e Krishtlindjes ortodokse, sipas kalendarit Julian. Përveçse morën pjesë në meshat e kishave ortodokse serbe, dy zyrtarët, ministri serb i Punës, Aleksandar Vulin, dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, nuk i kanë kursyer deklaratat provokuese politike.

Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka shpërndarë sot dhurata për fëmijët serbë, në fshatin Gorazhdec të Pejës.

Duke folur për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, Vulin ka deklaruar nga Gorazhdeci se, gëzimi i kësaj feste është prishur me dhunën – siç e ka cilësuar ai, – e djeshme në Gjakovë, përpjekjen për vrasje në Gorazhdec, duke shtuar se “gëzimin e kësaj feste, prej vitesh e prish fakti se nuk dihet kush i ka bërë krimet e tmerrshme në Kosovë ndaj më shumë se 1000 serbëve, qëkur në Kosovë ka ardhur bashkësia ndërkombëtare”. Ai ka marrë pjesë në liturgjinë në Patriakranën e Pejës.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën ka qëndruar mbrëmjen e së mërkurës në Mitrovicën e Veriut, ku ka marrë pjesë në meshën e kremtuar nga peshkopi Teodosije, ndërsa paraditen e së enjtes nga mesha në Manastirin e Deçanit u ka bërë thirrje serbëve, kudo që janë, të vijnë e të vizitojnë vendet e shenjta në Kosovë.

Në këto mesha, zyrtarët nga Beogradi janë shoqëruar edhe nga ministra të kabinetit “Mustafa” dhe deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës, përfshi ish-ministrin për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanoviç. Top Channel mëson se dy zyrtarët e lartë serbë kanë hyrë në Kosovë me lejen e autoriteteve kosovare.

Top Channel