Hazard mendon largimin nga Chelsea

07/01/2016 14:35

E ardhmja e Eden Hazard është larg Chelsea. Kjo është ajo që publikon e përditshmja “Daily Mail”, sipas së cilës futbollisti belg e ka marrë vendimin e tij për t’i thënë lamtumirë Premier League-s në fund të sezonit.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, Hazard nuk po përjeton një sezon shumë të mirë me Blutë e Londrës dhe për këtë arsye po mendon të ndryshojë ambient.

Një situatë e tillë ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane si Bajerni i Mynihut, Reali i Madridit dhe Paris Sën Zhermen. “Daily Mail” thekson se francezët janë ata që duket se kanë bërë një hap më shumë se të tjerët. Kjo për faktin e kampionët e Ligue 1 e kanë përgatitur tashmë ofertën për Hazard, që kap shifrat e 45 milionë paundëve, ndërkohë që Chelsea kërkon të paktën dyfishin e kësaj vlere.

Por, pavarësisht këtij pretendimi të kampionëve të Anglisë, ajo që do të ketë më shumë peshë tek e ardhmja e Hazard është dëshira e futbollistit, që është largimi nga kampionati anglez.

Top Channel