Rally Dakar, Peugeot dominon etapën e katërt

07/01/2016 00:00

Peugeot dominon etapën e katërt të Rally Dakar në kategorinë e makinave. Janë pilotët e kësaj skuadre ata që kanë zënë 3 vendet e para, ku ai që spikati më shumë ishte Peterhansel.

Piloti francez e mbylli këtë etapë të zhvilluar në cirkuitin pranë Huhuj me kohën 3 orë 42 minuta e 42 sekonda. Në vendin e dytë u pozicionua spanjolli Carlos Sainz, me 11 sekonda më shumë se Peterhansel. Sebastian Loeb vijon paraqitjen shumë të mirë të tij në këtë aktivitiet. 9 herë kampioni i botës në Rally u rendit i treti në etapën e katërt, me 27 sekonda më shumë se Peterhansel, duke lënë pas tij kampionin në fuqi, Nasser al-Attiyah.

Në renditjen e përgjithshme, në krye edhe pas etapës së katërt vazhdon të jetë Sebastian Loeb, me 9 orë 44 minuta e 51 sekonda. Në vendin e dytë gjendet Peterhansel me 4 minuta e 48 sekonda më shumë, ndërsa në vendin e tretë ngjitet Al-Attiyah me 11 minuta e 9 sekonda më shumë se Loeb. Për t’u theksuar është se Al-Attiyah gjatë kësaj kohe ka marrë edhe një penalizim prej 1 minute nga komisarët e garës.
 
Në kategorinë e motorëve, Joan Barreda u penalizua sërish edhe pse e fitoi këtë etapë. Këtë radhë komisarët e garës e dënuan atë me 5 minuta, duke bërë që spanjolli të zbresë në vendin e katërt në këtë etapë, fitorja e së cilës i shkoi portugezit Paulo Gonçalves me 4 orë 7 minuta e 19 sekonda.

Në vendin e dytë u rendit një tjetër portugez, Ruben Faria, me 2 minuta e 35 sekonda më shumë se bashkëkombasi i tij, ndërsa vendi i tretë ishte për argjentinasin Benavides.

Pas etapës së katërt, kryesimin në renditjen e përgjithshme e mori Gonçalves me 10 orë 17 minuta e 27 sekonda, i dyti pozicionohet Benavides me 4 minuta e 26 sekonda më shumë, ndërsa Barreda e sheh veten në vendin e tretë.

Top Channel