Roma-Milan, sfida ku varet fati i trajnerëve

07/01/2016 11:55

Të shtunën do të luhet sfida mes Romës dhe Milanit, një ndeshje kjo që do të ketë një rëndësi shumë të madhe, sidomos për trajnerët e të dyja skuadrave, Rudi Garsia dhe Sinisa Mihajloviç.

Si francezi, ashtu edhe trajneri serb janë në pozita delikate dhe gjërat për ta u përkeqësuan më shumë pas rezultateve të kësaj mesjave, me Romën që barazoi 3-3 me Kievon dhe Milanin që humbi në “San Siro” ndaj Bolonjës 0-1.

Nëse Roma do të humbasë në “Olimpiko” këtë fundjavë, atëherë shkarkimi i Garsias bëhet i paevitueshëm. Drejtuesit amerikanë të verdhekuqve e kanë mbrojtur Garsian, por edhe për ata durimi e ka një kufi.

Për Mihaljoviçin gjendja është disi më ndryshe. Milani shumë shpejt do të luajë sfidën në Kupën e Italisë me Karpin, një ndeshje kjo që është shumë delikate për t’iu besuar një trajneri tjetër. Kjo përbën një shans më shumë për Mihajloviçin, që gjithsesi një pjesë të mirë të fatit të tij do ta luajë në “Olimpiko”. Berluskoni mund t’ia falë me zor një humbje të ngushtë ndaj Romës në Olimpiko, por nëse kjo disfatë do të jetë më e rëndë, atëherë gjërat do të përmbysen për trajnerin e Milanit.

Top Channel