Barcelona këtë herë nuk gabon, 4 gola Espanyol-it në derbi

07/01/2016 00:00

Luajnë në La Liga, në Champions apo në Kupën e Mbretit…për ta nuk ka rëndësi pasi gjithmonë japin maksimumin dhe kënaqin të pranishmit në stadium, si dhe ata që i ndjekin nga ekranin i televizorit.

Messi, Neymar, Suarez e lojtarët e tjerë të Barcelonës dhuruan një mbrëmje fantastike të mërkurën, duke fituar 4-1 derbin ndaj Espanyol-it.

Edhe pse kjo ndeshje ishte e vlefshme për Kupën e Mbretit, Enrique hodhi në fushën e lojës që nga minuta e parë formacionin e tij më të mirë duke mos kursyer asnjë nga ‘yjet’ e tij, ndoshta nga fakti se rivalët që kishte përballë ja bënë të vështirë ndeshjen e parë të këtij viti, madje i morën edhe një pikë në takimin e zhvilluar vetëm 4 ditë më parë të vlefshëm për kampionat, i cili u mbyll me rezultatin 0-0.

Caicedo befasoi duke shënuar pas 9 minutave loje për Espanyol-in, por avantazhi i tyre zgjati vetëm 4 minuta, pasi Lionel Messi realizoi një gol të shkëlqyer nga goditja e dënimit, duke barazuar shifrat. Ndërsa një minutë para përfundimit të pjesës së parë, argjentinasi shënoi edhe golin e dytë për Barcelonën.

Katalanasit menduan që ta zgjidhnin që në ndeshjen e parë kualifikimin për në fazën e ardhshme të Kupës së Mbretit, duke shënuar edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë. Pique shënoi pas një asisti nga Messi menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë, ndërsa në fundin e takimit do të vinte edhe një super gol nga Neymar, i cili finalizoi me sukses një aksion të krijuar së bashku me argjentinasin.

Tashmë për Barcelonën do të jetë gjithçka e lehtë për të kaluar në fazën e ardhshme, pasi Espanyol-it i nevojitet një fitore të paktën 3-0 për të kaluar më tej. 

Top Channel