Napoli fiton ndaj Torinos, sërish -1 nga Interi

07/01/2016 00:00

Të paktën deri në këtë fazë të Serie A, Napoli duket se është një nga pretendentët kryesorë për të rivalizuar denjësisht në garën për titull kampion këtë sezon në Itali. Edhe java e 18 ishte pozitive për ta, pasi mposhtën në “San Paolo” Torinon me rezultatin 2-1.

Gjithçka në këtë takim u vendos në 45 minutat e para. Kur nuk shënon argjentinasi Higuain, te Napoli përgjegjësitë i merr Insigne. Italiani ishte autori i golit të parë në këtë ndeshje, në minutën e 16, ndërsa më pas miqtë nga Torino barazuan me Quagliarella-n në minutën e 33. Por ndeshja nuk qëndroi gjatë në barazim, pasi sllovaku Hamsik shënoi edhe golin e dytë për ekipin e presidentit Aurelio De Laurentiis.

Në pjesën e dytë, të besuarit e trajnerit Sarri arritën ta menaxhojnë më së miri rezultatin dhe dolën nga ky takim me 3 pikë mjaft të rëndësishme në garën për titull kampion në Itali.

Në këtë ndeshje, po ashtu si edhe në takimet e tjera të Seria A, te Napoli në krahun e djathtë të mbrojtjes u aktivizua shkodrani Elseid Hysaj, i cili çdo ditë e më shumë po tregon se ka vlera dhe me përkushtimin e thjeshtësinë që e karakterizon, po kthehet në një prej lojtarëve më të mirë në Serie A. Ndaj Torinos, Hysaj mbrojti mirë, thuajse perfekt, ndërsa shpesh mendonte edhe të ndihmonte shokët e tij në repartin e avancuar.

Padyshim që në ecurinë pozitive të Napolit në këtë sezon në Serie A deri tani, një meritë mjaft të madhe kanë edhe dy personat që sezonin e kaluar ishin pjesë e Empolit, trajneri Sarri dhe mbrojtësi i tij i preferuar, Elseid Hysaj.

Pas këtij takimi napolitanët renditen të dytët me 38 pikë, një më pak se Interi kryesues. Por, pas dy javëve kalendari i Serie A i vendos këto dy skuadra përballë njëra-tjetrës, ndeshje e cila vendos jo pak për ecurinë e mëtejshme në kampionat edhe pse janë shumë javë për t’u luajtur.

Top Channel