UEFA: Shqipëria, bilanc negativ ndaj kundërshtarëve të Grupit A

06/01/2016 00:00

Shqipëria do të luajë për herë të parë në një Europian, por ka zhvilluar gjithsej 27 ndeshje me kundërshtarët e Grupit A, Francën, Rumaninë dhe Zvicrën. Në 18 përballje të vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe Botërorit, kuqezinjtë nuk kanë fituar asnjëherë.

Në faqen e saj zyrtare, UEFA i ka kushtuar rëndësi statistikave të Kombëtares sonë përballë kundërshtarëve me të cilët do të luajmë në qershor në Francë.

Shqipëri – Zvicër (11 qershor, ora: 15:00, Lens)

Në përballjet për kualifikueset e Europianit, Shqipëria ka luajtur dy herë me Zvicrën duke arritur një barazim dhe duke humbur një herë. Ndërsa për kualifikueset e Botërorit, me Zvicrën jemi ndeshur katër herë dhe i kemi humbur të katërtat. Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjë miqësore me Zvicrën.

– Zvicra nuk ka humbur në asnjërën prej gjashtë ndeshjeve të zhvilluara me Shqipërinë, duke fituar pesë. Përballja e fundit mes Zvicrës dhe Shqipërisë u luajt për kualifikueset e Botërorit. Shqipëria humbi 2-0 në Luzern dhe 1-2 në Tiranë. Xherdan Shaqiri, që është me origjinë shqiptare, shënoi në të dy ndeshjet.

– Disa prej lojtarëve të Shqipërisë luajnë për skuadrat helvetike, duke përfshirë tre tek kampionët e Bazelit (Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka dhe Naser Aliji) dhe tre te Zyrihu (Berat Gjimshiti, Burim Kukeli dhe Armando Sadiku).

– Taulant Xhaka, që ka lindur në Zvicër, zgjodhi që të luajë me Shqipërinë, ndërsa vëllai më i vogël, Graniti, për Zvicrën.

Shqipëri – Francë (15 qershor, ora: 21:00, Marsej)

Shqipëria është përballur 6 herë me Francën, në katër raste për kualifikueset e Europianit, ndërsa dy të tjera janë miqësore. Përderisa për kualifikuese nuk kemi fituar asnjëherë, duke i humbur të gjitha, në dy miqësoret e fundit kuqezinjtë kanë rezultat pozitiv, duke fituar një ndeshje dhe një duke barazuar.

– Shqipëria barazoi 1-1 në Renes para se të fitonte përballjen e dytë në Elbasan 1-0 falë golit të Ergys Kaçes në sfidat që llogariten si miqësore në kualifikueset e fundit të EURO 2016.

– Franca ka fituar të katër takimet e fundit të vlefshme për kualifikueset e Europainit me një goldallim +10.

– Fitorja më e thellë e Francës ndaj Shqipërisë u regjistrua në kualifikueset për EURO 1992, ku “gjelat” triumfuan 5-0 me Franck Sauzee dhe Jean-Pierre Papin që shënuan të dy dopietë.

– Kapiteni dhe lojtari me më së shumti paraqitje me fanellën e Kombëtares, Lorik Cana luan në kampionatin francez te Nantes, bashkë me një tjetër kuqezi, Ermir Lenjani.

Shqipëri – Rumani (19 qershor, ora: 21:00, Lens)

Shqipëria dhe Rumania janë përballur mes vete në 17 raste, 6 herë për kualifikueset e Europianit, dy për ato të Botërorit dhe kanë zhvilluar 9 miqësore.

– Shqipëria ende nuk e ka mposhtur Rumaninë në një ndeshje për kualifikueset e Europianit ose Botërorit, ku në 8 përballje kanë barazuar vetëm dy herë.

– Përballja e fundit mes Shqipërisë dhe Rumanisë u luajt në maj të vitit 2014 kur mbrojtësi i krahut të majtë, Razvan Rat, shënoi golin e vetëm dhe të fitores për Rumaninë në atë sfidë të zhvilluar në Zvicër.

Top Channel