Kosovë, Apeli lë në “arrest shtëpiak” deputetët e opozitës

06/01/2016 00:00

Gjykata e Apelit në Kosovë ka refuzuar ankesën e deputetëve të opozitës, duke vendosur që për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin të vazhdojë masa e “arrestit shtëpiak” deri më 17 shkurt, ndërkohë që deputeten e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi e kanë lënë të mbrohet në liri.

Gjatë seancës gjyqësore, deputeti Albin Kurti ka kërkuar që t’i lejohet një fjalim, por gjykatësi nuk e lejoi, duke thënë se kjo fazë nuk lejon që të diskutohet për çështjen kryesore, sepse nuk është seancë përmbajtësore.

“Refuzohen propozimet e mbrojtjeve të të akuzuarve, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, që atyre t’iu ndërpritet masa e arrestit shëpiak. Kështu që, vendimi paraprak mbetet në fuqi për vazhdimin e kësaj mase”, tha Beqir Kalludra, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Kosovë.

Pas vendimit të gjykatës, deputeti i Vetëvendosejs, Albin Kurti tha se gjykimi ishte i padrejtë, në një shtet të kapur dhe në një regjim autoritar.

“Ky është gjykim i padrejtë në një shtet të kapur, me një regjim autoritar. Nga ky proces nuk presim asgjë, po nga opozita e bashkuar presim gjithçka dhe unë besoj se aty është zgjidhja. Në Kosovë nuk ka zgjidhje brenda këtyre institucioneve të drejtësisë, të cilët praktikisht po vazhdojnë punën e ekzekutivit. Ekzekutivi ka bërë marrëveshje tinëz me Serbinë dhe Malin e Zi, por unë jam shumë optimist, që nuk ka pasur ndonjëherë në Kosovën e pasluftës një demaskim më të madh, e në të njëjtën kohë vetëdijësim më të madh të qytetarëve të Republikës. Këta janë një prokurori persekutuese, ku në fund ju e patë që gjykatësi ishte më i rreptë sesa prokurori, sa i përket arrestit shtëpiak të Faton Topallit, i cili ka probleme shumë të mëdha shëndetësore”, tha Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes.

Edhe pse deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi po mbrohet në liri, ajo tha se nuk ndihet fajtore, pasi me veprimet e saj, tha se ka mbrojtur Kushtetutën.

“Siç deklarova edhe në gjykatë, ne si deputetë nuk jemi në konflikt me ligjin, jemi në konflikt ndaj dy marrëveshjeve të dëmshme, të cilat po shkatërrojnë vendin. Këtë gjë e tha së fundmi edhe Gjykata Kushtetuese. Prandaj, të gjitha veprimet tona kanë qenë në shërbim të mbrojtjes së Kushtetutës dhe mbrojtjes së interesave të shtetit, të sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë. Në sallën e kësaj gjykate duhet të jenë përgjegjësit për këto marrëveshje antikushtetuese, respektivisht kryeministri dhe zëvendëskryeministri, të cilët sipas nenit 124 të Kodit Penal kanë shkelur ligjin. Ata duhet në fakt të përndiqen për tradhti kombëtare dhe jo deputetët që kanë mbrojtur ligjin, kanë mbrojtur Kushtetutën”, tha Donika Kadaj-Bujupi, deputete e AAK.

Katër deputetët e opozitës, protagonistë të seancave me gaz lotsjellës në sezonin e vjeshtës të Kuvendit, akuzohen për përdorim të armëve dhe mjeteve të tjera të rrezikshme, pa autorizim. Seanca e radhës për deputetët e opozitës u caktua për më 15 shkurt.

Top Channel