Benitez thyen heshtjen, spanjolli flet pas shkarkimit

05/01/2016 00:00

Rafa Benitez ka thyer heshtjen dhe ka shkruar një letër lamtumire pas shkarkimit nga Real Madrid.

Ai nuk ka pasur një takim të fundit me futbollistët dhe pjesëtarët e tjerë të stafit teknik siç ndodh zakonisht, duke preferuar një laps dhe një letër për të thënë se ishte një nder i madh për të që drejtoi për pjesën e parë të sezonit skuadrën madrilene.

“Dëshiroj që të gjithë ata që formojnë këtë shoqëri, që nga kupola drejtuese e deri te tifozi i fundit, pra drejtues, punëtorë e simpatizantë të Realit, ta dinë se për mua ka qenë një nder i madh që kam pasur këtë detyrë në këtë klub, i cili më rriti si person, si futbollist dhe si trajner nga kategoritë më inferiore e deri tek ekipi i parë”, shkruan Benitez.

Trajneri nuk harron të falendërojë të gjithë ata që “ia bën punën më të lehtë” në “Santiago Bernabeu”, por pa përmendur emra.

“Do të doja të falendëroja në mënyrë të veçantë të gjithë ata persona që më kanë ndihmuar që nga dita e parë kur shkela në qendrën stërvitore të re të Realit të Madridit apo në ‘Santiago Bernabeu’ si dhe ata që ma bënë më të lehtë punën gjatë këtyre muajve dhe që dhanë më të mirën e tyre për tentuar objektivin e përbashkët”, vijon letra e teknikut.

Rafa Benitez i ka uruar suksese edhe pasuesit të tij, Zinedine Zidane, i cili të martën drejtoi seancën e parë stërvitore nën duartrokitjet e 6 mijë tifozëve të pranishëm.  

“Do të doja t’i uroja fat pasuesit tim Zinedine Zidane dhe të gjithë stafit të tij, po ashtu çdo futbollisti, trajneri dhe pjesëtari të personelit që punojnë në Valdebebas dhe në ‘Santiago Bernabeu’ për të mirën e klubit”, shkruan spanjolli.

Ish-trajneri i Realit e mbyll letrën në një mënyrë të çuditshme duke shkruar “me shumë respekt dhe mirënjohje… ‘hala madrid’ dhe asgjë tjetër”.

Top Channel