Guardiola: Ja pse do largohem nga Bayern

05/01/2016 00:00

Pep Guardiola ka zbuluar arsyen se përse vendosi që të mos rinovojë kontratën me skuadrën e Bayern, duke thënë se dëshiron që karrierën e tij si trajner ta vazhdojë në kampionatin anglez.

Trajneri katalanas iu drejtua për herë të parë mediave që pas njoftimit se do t’i japë fund aventurës së tij me kampionët gjerman.

“Nuk kam vendosur ende për skuadrën e re. Dua që të përjetoj një eksperiencë të re, në një qytet tjetër dhe dua që të punoj në Angli. Kjo është arsyeja pse mora këtë vendim”, deklaroi trajneri.

Ai zbuloi se ka marrë disa oferta, por ende nuk ka firmosur asgjë, derisa thotë se është ende i ri për të qëndruar vetëm në një skuadër.

“Kam disa oferta nga Anglia, por nuk kam firmosur asgjë. Nëse do të isha 60 apo 65-vjeç atëherë do të qëndroja të Bayern, por jam shumë i ri, kam nevojë për sfida të reja. Sapo të vendos për skuadrën e re, besoj se do të informoheni, por tani për tani nuk kam asgjë për të thënë sepse nuk kam vendos asgjë”, vazhdoi Guardiola.

Spanjolli mori drejtimin e skuadrës bavareze në verë të vitit 2013 duke firmosur një kontratë 3-vjeçare. Ai fitoi dy herë radhazi titullin kampion, Kupën, Superkupën e Europës dhe Botërorin e klubeve.

Në garë për Guardiolën janë dy skuadrat e Manchesterit, United e City si dhe Chelsea, të cilët do të fillojnë betejën e fundit për të bindur 44-vjeçarin.

Top Channel