F1, Vettel: Rruga drejt titullit, ende e gjatë

05/01/2016 13:20

Sebastian Vettel e ëndërron titullin botëror në Formula 1 të këtij viti, por piloti gjerman qëndron me këmbë në tokë. Katër herë kampioni i botës, që në 2015 fitoi 3 gara dhe u ngjit dhjetë herë në podium, është i ndërgjegjshëm se duhet ende kohë për të arritur rezultate akoma më prestigjoze.

“Tundimi për të synuar titullin botëror është i madh, por nuk duhet të harrojmë se gjërat e mira bëhen ngadalë. Jemi në rrugën e duhur, por kemi ende shumë punë për të bërë. Duhet të kujtojmë se vitin e kaluar u bënë shumë ndryshime te Ferrari, erdhi një pilot i ri dhe disa punonjës të tjerë, ndërkohë që një pjesë e atyre që ishin në skuadër ndërruan pozicion. Për këtë arsye kërkohet më shumë kohë”, shkroi Vettel në një artikull për gazetën gjermane “TZ”.

Për Vettel, viti 2015 ishte pozitiv, por ai shtoi se shpreson që gjërat të shkojnë akoma më mirë për skuadrën italiane: “Tifozët janë fantastikë. Pasioni për Ferrarin në mbarë botën është diçka e pabesueshme. Këtu është një kulturë tjetër dhe duhet të mësohesh. Mendoj se sukseset e arritura na ndihmuan për të përshpejtuar progresin dhe ne shpresojmë që këtë vit t’i bëjmë gjërat akoma më mirë, edhe pse është ende herët për të bërë parashikime”.

Top Channel