Rally Dakar, debutuesi Loeb fiton etapën e dytë

05/01/2016 11:10

Rally Dakar i vitit 2016 i rikthehet normalitetit duke zhvilluar etapën e dytë, të mbyllur në Termas De Rio Hondo, një etapë kjo e shkurtuar nga organizatorët e garës.

Në këtë etapë bie në sy fitorja e debutuesit në këtë aktivitet, Sebastian Loeb, 9 herë kampion bote në garat rally. Piloti francez i Peugeot triumfoi me kohën 3 orë 45 minuta e 46 sekonda, duke lënë në vendin e dytë bashkëkombasin e tij Stefan Peterhansel, edhe ky me Peugeot, me 2 minuta e 23 sekonda më shumë, ndërkohë që në vendin e tretë u rendit De Villiers me 3 minuta e 1 sekondë më shumë se Loeb.

Carlos Sainz shfaqi probleme mekanike pas 112 km dhe e përfundoi këtë etapë në vendin e 14, me 10 minuta më shumë se fituesi i saj.

Sebastian Loeb me fitoren e kësaj etape merr edhe kryesimin në renditjen e përgjithshme, me 3 orë 52 minuta e 3 sekonda, i ndjekur në vendin e dytë dhe të tretë nga Peterhansel dhe De Villiers.

Për kategorinë e motorëve,  fitorja e etapës së dytë i shkoi australianit Price me 3 orë 46 minuta e 24 sekonda, që la në vendin e dytë portugezin Faria me 1 minutë e 20 sekonda më shumë, me këtë të fundit që edhe u penalizua nga komisarët e garës me 1 minutë. Ndërsa në vendin e tretë në këtë etapë u pozicionua francezi Dyklo me 1 minutë e 51 sekonda më shumë se Price, i cili mori kryesimin në renditjen e përgjithshme me 3 orë 53 minuta e 9 sekonda. Në vendin e dytë është Faria, ndërsa i treti pozicionoeht Dyklo.

Top Channel