Stupcat: Nderojmë luftën dhe të rënët, por…

04/01/2016 00:00

Grupi kosovar i humorit “Stupcat” ka reaguar pas kritikave, akuzave për përdhosje të luftës së UÇK-së, madje dhe kërcënimeve që morën pas një skeçi të transmetuar në mediat kosovare natën e ndërrrimit të viteve, e ku humoristët thumbonin një pjesë të komandantëve të UÇK-së që – sipas tyre, – u pasuruan pas lufte.

Në një deklaratë në faqen e tyre në Facebook, “Stupcat” deklarojnë se e respektojnë dhe e nderojnë luftën dhe të rënët.

“Skeçi i fundit ‘Plani strategjik’ na gëzoi shumë për bujën dhe pluhurin që ngriti nëpër rrjete sociale dhe ato mediatike. Jo për shikueshmërinë, po për zgjimin e ndërgjegjes së fjetur. Nuk ka shoqëri normale, që nuk do të përulej para dëshmorëve dhe heronjve të tyre, siç përulemi edhe ne ‘Stupcat’ me respektin më të madh. Nuk ka njeri normal, që nuk do të ndjente dhimbje për gjymtyrët e humbura të luftëtarëve të vet. Do të ishte mallkim, sikurse është mallkim, që nën emrin dhe petkun e luftës sonë të shenjtë, të fshihen përfitues dhe matrapazë të caktuar, siç ishin personazhet në skeçin tonë. Nuk mund të futen në një thes, heronjtë dhe hajnat. Kjo shtëpi, ky shtet duhet të ndërtohet mbi të drejtën e të vërtetën”, përfundon deklarata e “Stupcave”, grupi që përbëhet nga aktorët Vedat Bajrami, Osman Azemi, Mensur Safçiu.

Skeçi u kritikua nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe shoqatat e dala nga UÇK.

Top Channel