E dini përmendësh tabelën e Mendelejevit?

04/01/2016 00:00

Jeni të mirë në kimi? Urime, por dijet tuaja mund të jenë “të vjetëruara” tashmë dhe të papërditësuara. Të paktën sa i përket tabelës periodike të Mendelejevit, ku sapo janë shtuar edhe 4 elementë të rinj, duke kompletuar kështu rreshtin e 7 të saj e duke i “nxjerrë jashtë loje” tekstet mësimore të kësaj shkence anembanë botës deri më sot.

Elementët, të zbuluar nga shkencëtarë në Japoni, Rusi dhe Amerikë, janë të parat që shtohen në këtë tabelë periodike që prej vitit 2011, hera e fundit kur u shtuan elementët 114 dhe 116.

Këto 4 të rinjtë janë verifikuar më 30 dhjetor nga Unioni Ndërkombëtar i Kimisë së Pastër dhe të Aplikuar (IUPAC) me seli në SHBA, një organizatë globale që “qeveris” apo udhëheq nomenklaturën, terminologjinë dhe matjet.

Sipas njoftimit të “IUPAC”, një ekip shkencëtarësh ruso-amerikanë në Institutin e përbashkët për Kërkimet Bërthamore në Dubna, dhe Laboratori Kombëtar “Laërence Livermore” në Kaliforni kanë prodhuar të dhëna të mjaftueshme për të pretenduar zbulimin e elementëve 115, 117 dhe 118 në tabelë.

Trupa drejtuese ia njohu meritat e zbulimit të elementit 113, që ishte pretenduar gjithashtu edhe nga rusët dhe amerikanët, një ekipi shkencëtarësh nga instituti Riken në Japoni.

Kosuke Morita, i cili udhëheq kërkimet në Riken, tha se ekipi i tij ka planifikuar tashmë “të hulumtojë në territorin e pazbuluar të elementit 119 dhe përtej tij”. Ryoji Noyori, ish-president i Rikenit dhe i vlerësuar me çmimin Nobel në Kimi, u shpreh: Për shkencëtarët, ky zbulim ka një vlerë më të madhe sesa një medalje e artë olimpike.

Elementët, që mbajnë aktualisht emrat e vendeve përkatëse ku bëjnë pjesë në radhitje, do të emërohen zyrtarisht me emrat e ekipeve që i kanë zbuluar ato, por në muajt në vijim. Elementi 113 do të jetë i pari i tillë që do të emërohet nga shkencëtarë nga Azia.

“Komuniteti i kimistëve janë të etur të shohin tashmë tabelën më të plotë të mundshme, edhe me rreshtin e shtatë të saj”, tha profesor Jan Reedijk, president i Divizionit të Kimisë Inorganike në “IUPAC”. “Tashmë kemi nisur procesin e emërimit formal dhe simboleve që do të kenë këto elementë, të cilët momentalisht janë emëruar si ununtrium (Uut, 113), ununpentium (Uup, 115), ununseptium (Uus, 117) dhe ununoctium (Uuo, 118)”, u shpreh më tej ai.

Elementët e rinj mund të emërohen sipas një koncepti mitologjik, një minerali, një vendndodhjeje apo shteti, një prone apo një shkencëtari.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel