Kosovë, qeveria dënon autorët e grafiteve kundër Jahjagës

04/01/2016 00:00

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon veprimet e personave, deri tani të paidentifikuar, të cilët përmes grafiteve të vizatuara në disa pjesë të kryeqytetit, kanë fyer figurën e Presidentes së vendit.

“Këto akte ofendojnë institucionin dhe figurën e nderuar të Presidentes së Republikës së Kosovës, si dhe të gjitha femrave kosovare, të cilat, me sakrifica të paimagjinueshme kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për arritjen e lirisë, shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Duke i konsideruar gratë kosovare si ato me meritat më të veçanta për çdo arritje të deritanishme në Republikën e Kosovës, falë kontributit të tyre në çdo sferë të jetës, qeveria “konsideron se veprimet e fundit janë gjeste rrugaçësh, të cilëve iu mungon edukata elementare dhe përmes këtyre grafiteve, në fakt pasqyrojnë një sjellje të mjerë mendore të individëve, që e kanë humbur rrugën në shoqërinë kosovare”.

Top Channel