IFFHS vlerëson Messin dhe Luis Enriquen

04/01/2016 14:45

Luis Enrique zgjidhet si trajneri më i mirë për vitin 2015. Ky është verdikti i Institutit të Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS) që përpiloi një klasifikim në lidhje me teknikët që spikatën më shumë në vitin që sapo u mbyll.

Në renditjen e këtij viti, Luis Enrique qëndron në vendin e parë me 165 pikë, duke lënë pas trajnerin e Bayern Munchen, Pep Guardiola, me 86 pikë, ndërsa podiumin e plotëson trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, i renditur në vendin e tretë me 43 pikë. Pas italianit gjenden Unai Emery e Marcelo Gallardo, të ndjekur nga Carlo Ancelotti e Diego Simeone.

Ndërkaq, IFFHS-ja ka përpiluar një klasifikim edhe për organizatorin më të mirë të lojës, ku edhe në këtë rast ata që janë vlerësuar më shumë janë lojtarë të Barcelonës. Është pikërisht Lionel Messi ai që u cilësua si organizatori më i mirë i lojës për vitin 2015, çmim të cilin argjentinasi e merr për herë të parë në karrierën e tij.

Sulmuesi 28-vjeçar kryeson në këtë klasifikim të veçantë me 168 pikë, duke lënë në vendin e dytë shokun e tij të skuadrës, Andres Iniestën me 91 pikë, ndërsa i treti pozicionohet Andrea Pirlo me 54 pikë, i ndjekur nga Hazard dhe De Bruyne, të pozicionuar respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë.

Top Channel