Ferrari debuton në bursën italiane

04/01/2016 11:45

Dita e 4 janarit ishte shumë e rëndësishme për Ferrarin, pasi “Kokëkuqja” italiane bëri zyrtarisht debutimin në Bursën e Milanos. Në Pallatin Mezzanote ishin të pranishëm për këtë debutim Presidenti Sergio Marchionne, shefi i skuadrës Maurizio Arrivabene, Piero Ferrari, djali i themeluesit të kësaj skuadre, Enzos, si dhe presidenti i Exor, John Elkann, të cilët pritën edhe kryeminisitrin italian Matteo Renzi.

“Prej pak ditësh ka filluar ai që për ne quhet viti i të qenit kryesues. Në 2015 bëmë hapa të mëdhenj përpara, treguam se jemi kompetitivë e sidomos se ishim në gjendje që të riformonim grupin. Skuadra aktuale jona është e fortë dhe tashmë na mungon fare pak për të arritur aty ku dëshirojmë. Jemi të ndërgjegjshëm se kemi kundërshtarë shumë të fortë, por nuk i kemi frikë. Po punojmë shumë që në Australi të prezantohemi si skuadra për t’u mundur. Nuk kemi alternativa të tjera, pasi duam të respektojmë historinë e skuadrës që ka fituar më shumë në Formulën 1. Bëmë të gjitha investimet e kërkuara nga Arrivabene dhe kemi në dispozicion 2 pilotë kampionë bote. Kemi në skuadër personat e duhur në çdo repart për të arritur objektivin tonë të vetëm: të rikthjemë titullin në Maranello”, tha Marchionne në fjalën e tij.

Ferrari bëri debutimin e tij në Bursën e Milanos me një çmim prej 43 euro/aksion. Pas pak kohe, çmimi ra në 42 euro për t’u pezulluar për një kohë të shkurtër. Gjithsesi, shumë shpejt Ferrari u rikthye për të rinisur shitjen e aksioneve.

Top Channel